Bashkia Lezhë përkujton 614 vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriotit Skenderbeut

Bashkia Lezhë ka përkujtuar 614 vjetorin e lindjes se heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Aktiviteti përkujtimor, me zjarert e ndezura, është zhvilluar në orët e mbrëmjes në mjediset e vendvarrimit të heroit, tërësisht i restauruar. Ne kete aktivitet perkujtimor, në nderim të Heroit, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Bashkisë së Danilofgradit Mali i Zi dhe Bashkisë së Trebinjes Bosnje Hercegovinë, të cilat bashkë me bashkinë e Lezhës janë përfëshirë në projektin: “Jetësimi i Kalave”. Në fjalen e tij drejtori i Turizmit, Arsimit e Kulturës Ardjan Laçi theksoi se mbetet dëshmi e pakontestueshme lidhja historike e Gjergj Kastriotit me Lezhën dhe Besëlidhjen e saj. Si luftetar i lirisë, prijës e simbol i bashkimit të kombit, diplomat, burrë i madh shteti dhe mit i pavdekshem në memorien e gjithë shqiptarëve, Skenderbeu mbetet epokal. Për ditëlindjen e Gj.K.Skenderbeu, përgjegjësi i sektorit të trashëgimisë kulturore pranë bashkise Lezhe Paulin Zefi shprehet se:
“Në lidhje me vitet e para të jetës dhe rinisë së Gjergj Kastriotit, si rezultat i mungesës së burimeve të shkruara, ne dimë fare pak. Prandaj këto janë edhe vitet më pak të njohura që karakterizohen nga një dokumentacion i kufizuar dhe fragmetar, gjë e cila ka sjellë variante, teza, hipoteza, mendime dhe spekullime nga më të ndryshmet.
Kjo periudhë e jetës së Heroit tonë Kombëtar vazhdon të tërheqë pafundësisht interesin e historianëve dhe studiuesve të shumtë, shqiptarë apo të huaj, por deri më sot burimet më të besueshme mbeten veprat e shkruara nga biografët e hershëm dhe autorët bashkëkohës.
Varianti i M.Barletit mbi periudhën e parë të jetës së Heroit tonë Kombëtar sundoi në vijë të përgjithshme në historiografinë skënderbegiane botërore deri andej nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Por gjithashtu, kemi disa historianë të huaj, të cilët, duke filluar nga shek.XIX nuk u pajtuan plotësisht me "mënyrën romantike" që përmbante tregimi i humanistit shkodran dhe pasi filluan të dalin në dritë disa njoftime dokumentare, atëherë nisi edhe "rishkrimi" i viteve të para të jetës së Gjergj Kastriotit.
Ndërsa, historiografia italiane e shek.XVIII, XIX dhe XX, për të ndiçuar jetën dhe veprimtarinë e Gjergj Kastriotit deri në vitin 1443, është mbështetur kryesisht te vepra e autorit G.Biemmi dhe në këtë mënyrë ajo miratoi tërthorazi variantin e M.Barletit.
Viti i saktë i lindjes së Gjergj Kastriotit ndryshon/dallon sipas autorëve dhe burimeve të ndryshme dokumentare, por në historiografinë zyrtare është fiksuar viti 1405, sepse pjesa më e madhe e biografëve të Heroit tonë Kombëtar, duke nisur që nga M.Segoni, Dh.Frangu dhe M.Barleti, japin vitin në fjalë. Po ashtu edhe historianët e sotëm dhe të djeshëm si: F.Babinger, A.Cutolo, V.Talarico, P.Bartl, H.Inalçik, J.Drançolli, F.Hadri, K.Biçoku, K.Frashëri, O.J.Schmitt, Gj.Keka, A.K.Brackob dhe një varg i gjatë autorësh e vendosin 1405 si vitin e tij të lindjes.
Ndërsa A.Gegaj dhe G.Pallotta, duke iu referuar G.Biemmi-t, i cili jep vitin 1404, japin vitet 1404-1405. Më vonë këtë linjë do ta ndjekin A.Ermenji dhe A.Buda, të cilët janë mbështetur tek varianti i F.S.Nolit i vitit 1947, por në botimin e vitit 1996 A.Ermenji e fikson këtë ngjarje në vitin 1405.
Vetë F.S.Noli ka ndryshuar mendim disa herë, sepse në variantin e botuar në vitin 1921 thotë se lindi në vitin 1412, por në botimin e vitit 1947 pajtohet me A.Gegaj, sepse shkruan se lindi në vitet 1404-1405, dhe ndërsa në një leksion që ka mbajtur në vitin 1960, ai e shtyn ditëlindjen e Gjergj Kastriotit në vitin 1400. Po ashtu edhe autori G.Francione ka fiksuar vitin 1400. Sipas J.G.Hahn dhe K.Hopf, Gjergj Kastrioti ka lindur në vitin 1403.
Edhe në "Enciclopedia Italiana(Enciklopedia Italiane), Treccani" të botuar nga A.Pernice në vitin 1936, datëlindja e Heroit tonë Kombëtar jepet në vitin 1403, por në Enciklopedinë Italiane që është botuar më 2011 është shënuar viti 1405. G.Biemmi, A.Richer, J.Ëatkins, J.Pisko, J.Lavardin, C.C.Moore, J.C.L.Simonde De Sismondi, F.Cuniberti, G.Antonelli dhe G.Campagnano japin vitin 1404, e ndërsa Anonimi i Sansovinos jep vitin 1407. Gj.Muzaka jep si ditëlindje vitin 1410, sepse ai thotë se ishte 33 vjeç kur u kthye prapë i krishterë në vitin 1443, dhe këtë datë e jep edhe J.Radoniç në përmbledhjën e dokumenteve që botoi në vitin 1942.
Nëse i referohemi Anonimit venecian, ai lindi në vitin 1410 dhe ndërsa studiuesi C.Simoni, i cili është autori i librit të parë të botuar në gjuhën Esperanto në vendin tonë, me titull "Skanderbeg, Heroo de Albanujo, Shkodër, 1929", thotë se: “Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderbej, ka lindur në vitin 1412. A.Biancotti e jep në vitin 1413, por J.v.Hammer-Purgstall, J.P.Fallmerayer, C.Paganel dhe S.Külçe, e vendosin vitin e lindjes më 1414.
Osmanologu J.v.Hammer-Purgstall, nënvizon faktin se në betejën e parë të humbur nga turqit, në fushatën e gjatë të vitit 1443, Gjergj Kastrioti iku në moshën 29 vjeçare nga ushtria osmane, nën flamujt e së cilës ai ishte betuar që në moshën nëntë vjeçare. Sidoqoftë mendimi i përgjithshëm mbi vitin e lindjes së Heroit tonë Kombëtar që dominon tek shumica e historianëve dhe sidomos tek ata të periudhës së pasluftës së dytë botërore, shqiptarë apo të huaj, është viti 1405. Viti në fjalë është më tepër një datë ceremoniale sesa reale, pra një datëlindje politike, që sipas mendimit të shumë historianëve u zyrtarizua me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, pra në vitin 1968. 
Nga ana tjetër, nuk kemi asnjë burim dokumentar që përcakton ditën e saktë të lindjes, por duke qenë se festa fetare më e rëndësishme që kremtohej nga arbërorët ishte 6 maj, sipas Kalendarit Julian, pra Dita e Shën Gjergjit, e cila sot nderohet edhe nga të gjithë shqiptarët e konvertuar në Besimin Islam; atëherë është caktuar kjo datë kalendarike “simbolike” për të përkujtuar edhe ditën e lindjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu”.
Është viti i dytë radhazi që Bashkia e Lezhës përkujton datëlindjen e heroit. Aktiviteti vijoi me koncertin muziko letrar “Dritëlindje Arbënore” të përgatitur me këngë, pjesë orkestrale e korale si dhe vargje kushtuar kësaj figure të ndritur të kombit tonë, interpretuar nga krijues e artist të pallatit të kulturës dhe nxenes te shkolles “Lezha Akademik Center”

Rr.Lelçaj 06.05.2019


Sherbime dhe kontakte

Adresa:

Lagjia Skenderbeg, Sheshi Gjergj Kastrioti
Lezhe, Albania
info@lezha.gov.al
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2016 Bashkia Lezhe