Kallmeti

Njesia Administrative Kallmet është një nga njësitë e Bashkisë Lezhë pas reformes Administrativo-Territoriale të vitit 2015. Kjo Njesi përbëhet nga 4 fshatra që jane: Kallmet i Madh, Kallmet i Vogel, Rraboshte dhe Mërqi me një popullsi prej 7 150 banorësh dhe një siperfaqe prej 43,06 km2. Administrator i Njesisë është Ndue Zefi.

  kallmet

Ajo shtrihet në pjesën veri-perëndimore të Qarkut të Lezhës. Është e vendosr  në aksin e rrugës Lezhë-Vau Dejës duke siguruar një vendodhje të mirë gjeografike në pikëpamjen e ndërlidhjes dhe aksesit në infrastrukturë mes Qarqeve të rëndësishëm Shkodër dhe Lezhë.
Aktivitetet kryesore ekonomike të kësaj njesia janë të përqëndruara në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë, me fokus vreshtarinë dhe pemtarinë. Njesia është e njohur për prodhimin e verës vendase të Kallmetit si dhe vajit të ullirit karakteristik të kësaj zone, duke ruajtur kështu një traditë që e trashëgon që përpara viteve ’90. Njesia ka nën administrim një sipërfaqe prej 4306 ha nga të cilat 1875 ha është tokë bujqësore dhe pjesa tjetër pyje dhe kullota. Ajo është e pasur në burime natyrore, historike dhe sidomos kulturore çka ndërton premisa të rëndësishmë për zhvillimin e mëtejshëm të saj në drejtim të turizmit historik dhe kulturor por dhe të agro-turizmit, përpos zhvillimit bujqësor si degë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik vendor. Ish komuna Kallmet, tani njesia Administrative, u krijua në vitin 1992 me përbërje fshatrat Kallmet i madh, Kallmet i vogël, Rraboshtë dhe Merqi. Fshatrat e njesisë Administrative Kallmet ndodhen në anën perëndimore të malit Velë, në kodrat e ulta në të dy anët e rrugës automobilistike Lezhë -Vau i Dejës. Ato janë të pasura me burime natyrore uji, me kullota dhe te mbuluara me ullinj shekullore. Të ndodhura thellë në rrëzë të malit këto fshatra kanë veçoritë dalluese lokale dhe larmi zhvillimi si pasojë e klimës. Kështu psh, fshati Merqi është i përshtatëshëm për kultivimin e perimeve, ndërsa Kallmeti e Rraboshta për vreshta dhe ullishte, por kultivohet dhe hurma e portokalli.
Klima është mesdhetare fushore me dimër të butë e të lagësht ndërsa vera e nxehtë dhe e thatë. Temperatura e Janarit arrin 6-10 ⁰C, ndersa e Korrikut 25-26⁰C.  Reshjet janë rreth 1300- 1500 mm shi në vit.

rrushi        ulliri
       

Një gojëdhanë e vjetër thotë se dikur ky fshat ishte i mbuluar nga uji, i cili duke u pakësuar la pas lym e baltë që ndikoi në rritjen e kallamit të egër, bimë kjo që i dha këtij  vendi  emrin Kallmet (Kallam meti = Kall-meti). Kallmeti është një vendbanim i lashtë. Gjetjet arkeologjike në të gjithë shtrirjen e fshatit tregojnë se këtu është banuar që nga periudha e gurit të ri (Neolitit) e deri në antikitetin e vonë .Edhe pas pushtimit romak popullsia vazhdoi të banojë këtu dhe krijoi kulturën e saj të veçantë. Këtë e dëshmon varreza mesjetare e gjetur  tek ullishta e Gjek Simonit (shekulli 6-8 e.s.). Vazhdimësia e jetës se këtyre banorëve në Kallmet nuk u nderpre: ata krijuan kulturën e tyre, kristalizuan tiparet dalluese duke e bërë këtë fshat një njësi etnografike të veçantë në rrethin e Lezhës. Dalluese është veçanërisht veshja e grave dhe e vajzave me rroba krejt të bardha (vazhduese e veshjes ilire).
Në Kallmet jane ngritur monumente të kultures si Kisha e Shën Eufemisë e  shekullit 13-të e cila është një vend i shenjtë ku vijnë besimtarë nga të gjitha krahinat. Kjo kishë është në  listën e monumenteve të kulturës që gëzojnë mbrojtje të veçantë nga shteti. Komuna Kallmet shquhet si qendër e  rëndësishme historike, kulturore dhe fetare. Në fshatin Mërqi të komunës Kallmet, me 14 Janar 1703 u mbajt “Kuvendi i Arbërit” në Kishën e Shën Gjonit, me përkrahjen e drejtpërdrejtë të Papa Klementit XI– Albani. Ky Kuvend ishte më i rëndësishmi që zhvillohej në Shqipëri pas Kuvendit të Beslidhjes së Skendërbeut në Lezhë dhe kishte si qëllim bashkimin e shqiptarëve dhe ndaljen e islamizimit të Shqipërise nga pushtuesit osmanë. Ky Kuvend ka një rëndësi të madhe edhe për historinë e gjuhës shqipe, sepse vendimet e këtij Kuvendi u botuan edhe këtë gjuhë, përveç latinishtes. Kallmeti ka qenë trevë e kuvendeve dhe e veprimtarive patriotike për zonen veriore. Në ditët e para të tetorit 1911 krerët e 12 Bajraqeve të Mirditës mbajtën një Kuvend në Kallmet nën kujdesin e Abatit Preng Doçi, ku u vendos që të mos u bindeshin autoriteteve osmane, të hiqej Kajmekami, të largohen trupat osmane, të njihen Preng Bibë Doda e Preng Doçi si të parët e vendit. Gjithashtu  me 4 Maj 1913 në Kallmet u mbajt një kuvend tjetër ku morën pjesë : përfaqësues nga 12 Bajrakët e Mirditës, përfaqësues nga Malesia e Madhe, përfaqësues nga Bregu i Mates, Lezha dhe  Zadrima, Puka dhe nga Kurbini. Në këtë kuvend u vendos: Lidhja e besës kundër pushtuesve malazez për të çliruar Shkodrën dhe viset veriore. Kallmeti është djep i shumë figurave të shquara si: Frang Bardhi, Dod Koleci, Prend Suli si dhe Luigj Bumçi etj

kisha_shen_eufemise  objekte_fetare_3_125  kuvendi_arberit

 

 

 

 

 

 

Sherbime dhe kontakte

Adresa:

Lagjia Skenderbeg, Sheshi Gjergj Kastrioti
Lezhe, Albania
info@lezha.gov.al
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2016 Bashkia Lezhe