NË SHESHIN “GJERGJ KASTRIOTI” NDIZET PEMA E VITIT TË RI 2020 DHE KRIJOHET ATMOSFERË FESTE

Sheshi Gjergj Kastrioti në Lezhë është veshur i tëri me dekorin e festave të fundvitit. Dritat shumëngjyrëshe kanë prekur çdo cep të këtij territori. Bashkia Lezhë, me interesimin e drejtpërdrejtë të kryebashkiakut Pjerin Ndreu, këtë vit ndryshe nga çdo vit tjetër, ka bërë ndryshime rrënjësore me dekorin ndriçues dhe gjithë zbukurimet e tjera, duke i dhënë jetë e gjallëri të veçante rrugëve e sheshit kryesor të qytetit.
Në qendër të sheshit është ngritur Pema e Vitit të Ri, e cila për nga lartësia, bukuria dhe përmasat i ka tejkaluar gjithë pritshmëritë e qytetarëve. Për të ardhur deri këtu, punonjësit e Drejtorisë së Shërbimeve Publike bashkë me ata të sipërmarrjes së gjelbërimit, punuan shumë ditë me radhë si në përgatitjen e pemës tradicionale ashtu dhe instalimin e ndriçimit.
 Sheshi u mbush plot me qytetarë, fëmijë e nxënës shkollash. Qendra Kulturore e Fëmijëve “Gjergj Lacaj” organizoi dhe koncerte festive. Në qendër të sheshit Plaku i Vitit të Ri shpërndan dhurata. Ndërkohë, me ndihmën e biznesit vendas janë hapur pika ambulatore për tregtimin e artikujve të ndryshëm tradicionale që plotësojnë gjithë nevojat e qytetarëve. Zjarret e ndezura i kanë dhënë akoma më shumë dritë sheshit. Në buzëmbrëmje erdhi dhe momenti i shumëpritur i ndezjes së dritave të Pemës së Vitit të Ri. Kreu i Bashkisë Pjerin Ndreu, duke uruar bashkëqytetarët për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, u shpreh se sonte jemi këtu për të ndezur dritat e shpresës, dashurisë, mirësisë dhe mirëkuptimit. Jemi këtu për t’u thënë gjithë familjarëve që humbën të afërmit dhe u dëmtuan nga tërmeti i 26 Nëntorit, se kurrë nuk do jeni vetëm, por do keni ndihmën dhe mbështetjen tonë të pakursyer. Ndreu bashkë me Klean e vogël, që vjen nga një familje nga Shënkolli, që pësoi dëmtime nga tërmeti, ndezën Pemën e Vitit të Ri dhe fishekzjarret ndriçuan qiellin.

Përgatiti: Rrok LELÇAJ, Lezhë, 11.12.2019

Sherbime dhe kontakte

Adresa:

Lagjia Skenderbeg, Sheshi Gjergj Kastrioti
Lezhe, Albania
info@lezha.gov.al
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2016 Bashkia Lezhe