Në qytetin e Lezhës festohet 8-Prilli, Dita Ndërkombëtare e komunitetit Rom.

Në kuadër të 8-Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Komunitetit Rom, edhe në qytetin e Lezhës u zhvilluan veprimtari të shumta në fokus të të cilave ishin arsimimi dhe integrimi i fëmijëve, traditat, arti, kultura, kënga dhe vallja e këtij komuniteti. Me këtë rast në sallën e QKF-së “Gjergj Lacaj” shoqatat drejtuese të këtij komuniteti, të mbështetura nga Bashkia e Lezhës, organizuan një koncert festiv ku përformuan grupet më të mira artistike rome.
Uroi romët për festën zv/kryetari i Bashkisë Lezhë Enver Hafizi, i cili shprehu bindjen se ky komunitet e ka merituar dhe do ta ketë gjithnjë mbështetjen e kryetarit Frrokaj dhe administratës së Bashkisë Lezhë, me synim që ai të integrohet me të gjitha të drejtat në jetën e komunitetit qytetar të Lezhës. Më pas, z.Hafizi, duke evidentuar punën e bërë nga bashkia për integrimin e këtij komuniteti si në investime dhe në qendrat komunitare të lagjeve, u ndal tek edukimi dhe arsimimi i fëmijëve të familjeve rome. Kohë më parë asnjë nga femijët e këtij komuniteti nuk e kishte të mundur të shkonte në çerdhet dhe kopshtet e këtij qyteti. Sot janë dhjetra e dhjetra fëmijë romë e egjyptianë që ashtu si fëmijët e tjerë frekuentojnë normalisht çerdhet dhe kopshtet e qytetit. Gjithashtu, zv/kryetari i Bashkisë Lezhë Enver Hafizi, përmendi në këtë takim festiv përpjekjet që po bëhen për shkëputjen nga rruga dhe arsimimin e fëmijëve romë në shkolla, numri i të cilëve sot arrin mbi 200. Këto janë disa nga përpjekjet që po bën institucioni i bashkisë dhe administrata e saj për integrimin e këtij komuniteti, duke dhënë mesazhin e arsimimit të fëmijëve si e vetmja mënyre e formimit dhe me pas e punësimit të tyre. Vetëm kështu, përfundoi z.Hafizi, do të përmirësohet situata ekonomike e financiare, do të rriten kushtet e jetesës së këtij komuniteti, duke u integruar kështu tërësisht me komunitetin qytetar të Lezhës.
Më pas, vijoi koncerti festiv me këngë, valle dhe recitime, ku grupet artistike të fëmijëve shpalosën vlerat më të mira të traditës dhe artit të komunitetit rom.
 Lezhë, 8.4.2019, Përgatiti Rrok Lelçaj

Sherbime dhe kontakte

Adresa:

Lagjia Skenderbeg, Sheshi Gjergj Kastrioti
Lezhe, Albania
info@lezha.gov.al
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2016 Bashkia Lezhe