Pallati i Kultures i Qytetit te Lezhes

pallati_kultures Pallati i Kulturës i Qytetit të Lezhës -pak histori dhe pak aktualitet- Institucionet e para me karakter kulturor do te fillonin të ngriheshin aty në vitet 1946-47. Kinema "Drini" dhe shtëpia e kulturës dhe krijimtarise popullore "Manush Alimani", një emer që do t’a mbante edhe më vonë kur do të ngrihej godina e re e pallatit të cultures.

Fillimisht veprimtaritë kulturore-artistike bazoheshin thuajse plotësisht ne levizje diletante, që ne zanafillë do të ishin të thjeshta¸ për të ardhur më pas në një rritje graduale më cilësore e më të organizuar, ku pjesë e debutimeve, fjalëse artistike e veprimtarive emancipuese do të beheshin mësuesit. Cka për qytetin e Lezhës shumica u përkisnin të ardhurve nga Shkodra e zona tjera.

Me ardhjen në Lezhë në 1963 të Agim Velës, një muzikant i talentuar e gjithë pasion, do të vihej re dhe një trajektore e re ndryshimi në jetën muzikore e koncertale. Ardhja e tij bëri që publiku aq shumë i etur, të shijonte kësaj here dhe bukurinë, finesën e profesinalizmin e drejtueseve të këtij zhaneri. Këngëtarë dhe instrumentistë, përfshirë dhe ata të veglave e orkestrinave popullore, duke u grupuar e drejtuar më mirë, u rritën cilësisht në interpretim e sollën të reja me vlerë. Kësaj periudhe do ti përkiste edhe vënja në skenë e të parës operetë titulluar"Bardha". Kjo gjë për qytetin e Lezhës do të përbente një risi e një ngjarje që do të mbetej në kujtesë si zanafillë e nisjes së artit skenik në këtë qytet. Lëshuan rrënjë e pastaj me radhë nisi te krijohej një bërthamë me humoristët e parë, premierat e para të estradës që me vonë do të krijonte nje traditë që nuk do kalonte pa lënë gjurmët e veta.

Por gjithsesi në baza dëshire vullnetare e patjeter në kuadrin e një lëvizje amatore. Për të kaluar më pas në vënjen në skenë pjesësh të vogla teatrale që më vonë do të njihte dhe ajo rrjedha të reja e do të krijonte traditen e vet ku rritja e numrit të interpretuesve do të sillte edhe drejtues, dirigjentë e regjizor të shkolluar që do të merreshin me këto veprimtari.

Në 1968 kultura lezhjane do të përjetonte një ngjarje disi të veçantë: u krijua ansambli që mori emrin "Ciftelia", i cili më vonë do të behej si strehë artistike e një plejade të terë këngëtaresh, drejtuesish muzikorë, interpretuesish e folkloristesh të talentuar, emri i të cilëve do t’i kalonte tashmë kufijtë e rrethit të Lezhës. Ky ansambël pak nga pak mori vlera kombëtare, element të tij debutuan me virtuozitet dhe në skenat e huaja deri në Dizhoni të Francës. Ansambili ka marrë vlerësime dhe është çmuar me medalje të larta për vlerat që krijoi e kontibutet që dha. Pas viteve 70 thuajse të gjithë sektorët mbi të cilat u organizua pallati i ri kulturës do të drejtohen nga specialistë tashmë të përgatitur në shkollat artistike e Institutin e Arteve. Dhe cilet ishin sektoret në atë periudhë? Sektori i teatrit, muzikës e interpretimit, sektori i kulturës masive dhe ai i koreografisë. Persa i perket sektorit të valleve e koreografisë Lezha duke qënë një trevë me kaq pasuri në veshje e në vallet e saj karakteristike, po edhe në qytet me një numër valltarësh të spikatur, shpejt do të bëhej një sektor me rrezatim të gjëre debutues të njohur, deri në shkallë vendi. Për të vazhduar më pas me 1971 që do të ngrihej, ndonëse gjysmë profesionist, teatri i kukllave.

Dhe po në këto vite do të ngrihej edhe orkestra frymore e qytetit, estrada me recital si dhe teatri. Nisin në ketë kohë që veprimtaritë të jenë të planifikuara e me program shfaqjesh. Për të kaluar në një fazë të re kur filluan festivalet e këngës popullore si edhe ato të pionerëve të cilët ishin te përvitshëm dhe me krijimtrari të re. Mund të themi se deri në vitin 1990 nga ana e specialistëve e amatorëve të këtij pallati u zhvilluan dhe shfaqën në skenë: 8 premiera te ansamblit artistik dhe 4 të tilla te ansamblit folklorik, 11 festivale te fëmijëve, 22 premiera të trupës se estradës dhe 12 të tilla të teatrit. Po kështu u dhanë 28 premiera te teatrit te kukullave dhe mbi 220 veprimtari te kultures masive, siç quheshin atëherë.

Natyrisht ndërtimi i pallatit të ri të kulturës me 1983 bëri që të krijohen hapsira e mundesi më të mëdha. Për pasojë edhe numri dhe cilësia e këtyre veprimtarive shënoi rritje. Kushtet ishin më komode, me kërkesa më të larta e terhiqnin më shumë debatues e konsumator të artit. Nisur nga kjo, nga Lezha morën rrugën e ngjitën shkallaret për në veprimtari në shkallë vendi edhe këngëtarë, drejtues e interpretues të nivelit kombëtar.

Edhe pas viteve 90 me erën e re të demokracisë, pallati në kushte të reja, vijon të jetë një qender me vlera për kulturimin e rrezatimin e jetës artistike për qytetarët e vet. Dhe megjithë vështirësitë e fillimit, është përpjekur të gjejë vendin e vet në këto zhvillime të vrullshme transformuese. Përvoja e largët mbase do të sherbejë për të ndertuar e bërë atë hap cilësorë për të cilën ka nevojë shoqëria e sotme lezhjane, kohët e reja të progresit shoqëror e kulturor, stadi ne te cilin jemi. Dhe me përpjekjet, dëshirat e mira dhe me një angazhim më të madh, ndihmen në rritje që shpresojmë të japë pushteti vendor, roli e funksioni i ketij institucioni të rëndësishem kulturor e artistik, do ti çojë më tej përvojat dhe nivelin e cdo veprimtarie që do të zhvillohet këtu. Kohë pas kohe këtu ka veprimtari të vogla, të mëdha , koncerte apo me të ftuar e interpretues. Jeni të mirëpritur kurdoherë! Pallati Kulturës

Sherbime dhe kontakte

Adresa:

Lagjia Skenderbeg, Sheshi Gjergj Kastrioti
Lezhe, Albania
info@lezha.gov.al
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2016 Bashkia Lezhe