Përkujtohet 575 vjetori i Besëlidhjes së Lezhës.

Në përkujtim të 575-vjetorit të Kuvendit të Lezhës, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, Bashkia Lezhë ka organizuar veprimtari kulturore artistike me temën: “Rron në shekuj Besëlidhja e Lezhës”. Qyteti i Lezhes ishte veshur me dekorin e festës. Në këtë përvjetor të kuvendit historik ishin të pranishëm kreu i Bashkisë Lezhë zoti Fran Frrokaj, Presidenti i Republikës z.Ilir Meta, ministri për Diasporën Pandeli Majko, deputetë, drejtues të pushtetit lokal, besimeve fetare, qytetarë, nxënës shkollash, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, historianë, studiues dhe akademikë nga Shqipëria, diaspora dhe trojet shqiptare.
Në samitin e organizuar me këtë rast në fjalën e tij përshëndetëse, kreu i Bashkisë z.Fran Frrokaj theksoi se, në emër të qytetarëve të Lezhës ju uroj mirëseardhjen në qytetin tonë të Besëlidhjes së parë shqiptare, në vendin e Frang Bardhit, Gjergj Fishtës dhe Gjergj Kastriotit.
Lezha i dha Shqipërisë Besëlidhjen e parë në historinë e vendit dhe kumtoi bashkimin e parë politik dhe ushtarak të fiseve arbërore.
Sot, pas 575 vitesh, vendimet e mëdha të Besëlidhjes së Lezhës ende përcjellin përvojë dhe mesazhe me vlerë që na frymëzojnë për bashkim e bashkëpunim në të mirë të atdheut.
Gjergj Kastriotit-Skënderbeut i kemi borxh në jetë të jetëvë, shqiptarët i kanë borxh kombin dhe shtetin, europa i ka borxh lirinë dhe identitetin. Frrokaj vijoi se: “Lezha përkujton një datë historike që ruhet në memorien e të gjithë shqiptarëve si një trashëgimi e vyer e trimërise dhe urtësise së Gjergj Kastriotit, njeriut simbol të bashkimit të kombit që u bë baza e themelit të shtetit. Ndaj, ne jemi krenarë që identifikohemi me prijësin dhe përbashkuesin e Kuvendit të Lezhës Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, këtë kalorës legjendar që për 25-vjet mbrojti atdheun e tij dhe u bë mburojë e qytetërimit europian.  Me krenarinë që i përkasim këtij qyteti, i cili 575 vjet më parë, pati nderin të mirëpresë dhe të shënojë Besëlidhjen e parë të shqiptarëve në histori, të punojmë për ta ruajtur këtë qytet si simbol të bashkimit, unitetit, harmonisë dhe mirëkuptimit njerëzor, përfundoi fjalën e tij Frrokaj.
     Në fjalen e tij përshëndetëse Presidenti Meta tha se Lezha është një qytet dy herë me fat; e bekuar nga Zoti dhe Skëndërbeu.  Ai e vlerësoi 2-Marsin si ditë e shenjtë për gjithë shqiptarët pasi kjo datë na detyron të kujtojmë veprën më të madhe që bëri heroi ynë kombëtar, bashkimin e shqiptarëve. Kuvendi historik i Lezhës shënon përmbylljen e një prej përiudhave më të shëndritshme të historisë sonë kur shqipëria nën udhëheqjen e Skënderbeut iu imponua europës si mbrojtëse e qytetërimit dhe civilizimit të saj.
Nga Lezha Presidenti Ilir Meta ka bërë thirrje që palët politike të ngrihen mbi interesat  afatshkurtra për hir të rrugës europiane të Shqipërisë dhe vendimit për negociatat në qershor. Meta u shpreh se duhet të jemi pak më të dashur me njëri tjetrin dhe të gjykojmë më pak pasi vetëm të bashkuar mund të ecim përpara.
"Uroj që ky Kuvend i Lezhës për mesazhin që na ka sjellë nga thellësia e historisë, që në kohët më të vështira na ka ndihmuar të gjithëve për reflektim, të na ndihmojë edhe ne këtu për t'u ngritur mbi interesat afatshkurtra dhe të ngushta për t'i thënë një 'PO' të fortë rrugës europiane të Shqipërisë, por edhe Maqedonisë në qershorin që po vjen.
Duhet të jemi pak më të dashur me njëri tjetrin dhe të gjykojmë më pak. Për këtë do të na ndihmonte thënia e Nënë Terezës. ‘’Po ti gjykojmë të tjerët pafund nuk do të na mbetet kohë për t’i dashur ata’’. Kjo është rruga e suksesit. Vetëm duke qenë të bashkuar mund të ecim përpara" tha Meta.
Më pas në sallen e pallatit të kulturës artistë nga Lezha dhe Tirana dhanë një program artistik me këngë kushtuar Skënderbeut dhe Kuvendit të  Lezhës.
Lezhë, 02.03.2019   Pergatiti Rrok Lelçaj

 

Sherbime dhe kontakte

Adresa:

Lagjia Skenderbeg, Sheshi Gjergj Kastrioti
Lezhe, Albania
info@lezha.gov.al
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2016 Bashkia Lezhe