Preç Zogaj promovon në Lezhë librin poetik IN LOVE

Në Lezhë poeti Preç Zogaj shkoi me librin e tij më të fundit “In Love”. Në një ceremoni të thjeshtë ku shumë dashamirës të poezisë së tij lexuan pjesë nga poezitë në libër, poezi të cilat i cilësuan si “dashuritë njerëzore”.
Lexues e adhurues të poezisë së Zogajt, artistë e krijues krijuan një auditor që pranoi të qëndronte edhe në këmbë kur gjimnazistët recitonin poezitë e librit “IN LOVE”, njëqind e një poezi dashurie.
Poezia e Zogajt është komentuar si një ngjarje e rëndësishme që ndodh jo vetëm për Lezhën. Kryebashkiaku I Lezhës z.Fran Frrokaj, studiues, lexues dhe dashamirës të poezisë vlerësuan stilin e të shkruarit të poetit dhe shkrimtarit lezhjan Zogaj.
Zogaj në këtë libër poetik, përmes figurave të gjetura letrare jep mesazhe të qarta për dashurinë njerëzore. Kjo përzgjedhje poetike, si thuajse krejt poezia e Preç Zogajt, është një koleksion  odësh moderne, ku klasi teknik, efektet poetike dhe finesa gjuhësore ofrojnë diagramin e ndjeshmërive të një mendjeje refleksive që e sheh botën me sy lirik.
Prania në Lezhë për Zogajn, aty ku u krijua si poet,  është një shenjë e dashurisë për qytetin dhe një detyrim për miqtë e rinj e të vjeter të shkollës poetike, ndaj edhe përzgjedhja nuk ka qenë krejt e rastësishme.
Nga vlerësimet e krijuesve të Lezhës dhe kritikës letrare, “In Love” është nga librat më të bukur poetikë botuar kohët e fundit. Poeti, siç shkruan kritiku Agim Basha në parathënie, hyn ndër ata poetë që e shohin poezinë si kapacitet të brendshëm të gjuhës.
Preç Zogaj hyn ndër ata poetë që e shohin poezinë  si një apetit të qënies njerëzore të trashëguar nga praktikat e hershme të adhurimit.  Edhe pse thellësisht personale, shumë poezi të tij apelojnë për një celebrim të hapur kolektiv ku mediumi, gjuha, është njëherësh skenë e festës dhe tempull i adhurimit. Ndaj lexuesi jo thjeshtë emocionohet, por humbet në guidën shpirtërore të mendimit poetik.
Rrok Lelçaj     Lezhë, 13.02.2014

Sherbime dhe kontakte

Adresa:

Lagjia Skenderbeg, Sheshi Gjergj Kastrioti
Lezhe, Albania
info@lezha.gov.al
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2016 Bashkia Lezhe