• English

Qyteti Antik i Lezhës

qyteti_antik

Në burimet historike të kohës së lashtë përmendet me emrat Lis, Lissos, Lisson dhe ftillëzimi i historisë njerëzore në këtë qytet gjallon që në periudhën historike, epokën e bronxit dhe të hekurit. Materiali arkeologjik i zbuluar në Blinisht, Troshan, Spitën, Kallmet e malësi të Lezhës, flet për një cikël vendbanimesh parahistorike të etnosit ilir. Në bazë të ndryshimeve të rëndësishme që ndodhën në strukturën ekonomiko-shoqërore në Ilirinë jugperëndimore rreth shek.V-VI para Kr., zënë fillin e jetës qytetare edhe qendra të tjera në bregdetin lindor të Adriatikut si Shkodra, Rizoni, Ulqini etj.

Formën e plotë të një qyteti të zhvilluar Lisi e mori në kohën e përfundimit të sistemit mbrojtës të tij, aty nga fundi i shek.IV ose fillimi i shek III para Kr. Ndërtimet mbrojtëse të Lisit ishin sa të fuqishme për nga konstruksioni dhe teknika e ndërtimit, aq edhe madhështore në pamjen e tyre. Nisur nga ky këndvështrim mund të thuhet se Lisi ishte në radhën e parë të qyteteve më të mbrojtura e më të mëdha të të gjithë Ilirisë dhe sistemi fortifikues i tij ishte ndoshta edhe më i fuqishëm nga ai i Apolonisë. Lisi funksionon si qytet bregdetar dhe njëkohësisht si limani më jugor i shtetit të Ardianëve. Ai luajti rol me rëndësi sepse shërbente si pikënisje për flotën ushtarake-detare ilire, në sulmet e shpejta e të befasishme kundër qyteteve bregdetare të Adriatikut, Jonit e deri në thellësi të Mesdheut. Qyteti vazhdon të jetë qendër e rëndësishme edhe në kohën e sundimit të mbretëreshës ilire Teuta, e cila sipas burimeve historike arriti ta organizojë më mirë flotën detare dhe t’i bëjë më të shpeshta operacionet luftarake në mësymjen e qyteteve të tjera të Greqisë. Qyteti i Lisit dhe fortifikimi i tij Akrolisi përmenden për hërë të parë në burimet historike nga Polibi, historiani grek i shek.II para Kr., i cili në përkthimet e tij u jep hapësirë luftrave iliro - romake dhe ngjarjeve që u zhvilluan në tokën ilire gjatë luftrave maqedono-romake ndërmjet viteve 246-146 para Kr

Fillimisht qyteti përmendet kur përshkruhen kushtet e paqes që u vendosën ndërmjet mbretëreshës Teuta dhe përfaqësuesve të Romës në vitin 229 para Kr., kur Lisi caktohet si kufiri më jugor i lundrimit të anijeve luftarake ilire në bregdetin lindor të Adriatikut. Ky kufizim i flotës ilire nuk zgjati për shumë kohë, sepse në vitin 220 para Kr. Skerdilajdi, së bashku me Demeter Farin me 90 anije u nisën nga bregdeti i Ilirisë dhe mbasi kaluan Lisin, vazhduan lundrimin në drejtim të ishujve Kylkade. Nga Polibi mësohet gjithashtu se Filipi i V-të, mbret i Maqedonisë, shpresonte të shtinte në dorë Lisin dhe Akrolisin. Për realizimin e këtij plani strategjik ai u nis me një ushtri të madhe dhe mbas një udhëtimi prej dy ditësh, qëndroi pranë lumit Ardoksan, afër qytetit të Lisit.

Pushtimi i Lisit dhe Akrolisit do të ndodhte pikërisht në vitin 213 para Kr., pushtim i cili ishte pjesë e planeve strategjike të Filipit. Ai mendonte të krijonte paraprakisht një rrugëdalje të maqedonasve për në bregdetin Adriatik. Njëkohësisht në Lis të krijonte baza detare nga ku mund të hidhej përtej detit dhe të sulmonte romakët në tokën e tyre. Për këtë qëllim Filipi, para se të merrte Lisin, kishte kërcënuar Epidamnin dhe sidomos Apoloninë. Këtë të fundit megjithëse e sulmoi dy herë (me 216 dhe 214 para Kr.), nuk kish mundur t’a pushtojë.

Në vazhdim të ngjarjeve qyteti i Lisit përmendet përsëri nga Polibi, këtë radhë si rezidencë e mbretit Genti, mbret i ilirëvë siç quhet ai në burimet historike të kohës së lashtë. Këtu në qytetin e fortifikuar Genti priti delegacionin e parë maqedonas të dërguar nga Perseu për lidhjen e një aleance ndërmjet dy palëve. Por këto bisedime, siç dihet, u zgjatën me kthim e dërgim delegacionesh, derisa përfunduan në qytetin Meteon të Labeatisë. Marrëveshja u arrit dhe Genti dërgoi përfaqësuesit e tij së bashku me atë të Perseut në ishullin e Rodit, për një aleancë tripalëshe kundër Romës. Dhe sipas kronikave, Genti i pozicionuar në luftë të hapur kundër romakëve, mblodhi në qytetin e Lisit 15000 luftëtarë. Një njësi luftarake prej 1000 këmbësorësh dhe 50 kalorësish të kryesuar nga i vëllai, e nisi për të nënshtruar fisin e kavëve. Ndërsa vetë u nis kundër qytetit Basanie (5 milje larg Lisit) i cili asokohe ishte aleat i romakëve. Këto veprime të Gentit patën një kundërveprim të fuqishëm të romakëve dhe në luftën iliro-romake caktohen 11 porta (të mëdha e të vogla) që lejonin hyrjen në të gjitha drejtimet. Prej tyre 2 janë në anën e sipërme, 6 në të mesmen dhe 3 në anën e poshtme. Në pjesën e sipërme porta kryesore ka qenë në anën lindore për të komunikuar me Akropolin, e dyta në anën veriore që e lidhte qytetin me zonën fushore. Ajo më e madhja ishte portë me një hapësirë drite 4,2 m dhe me një zgjidhje planimetrike krejt të veçantë në krahasim me tjerat. Zgjidhja e tyre arkitektonike dhe funksionet përkatëse janë përshtatur me terrenin.

Brenda qytetit të Lezhës ruhet rrjeti i rrugëve të cilat kryqëzoheshin në brëndësi. Nga të jashtmet që hyjnë në qytet janë tri : ajo që vinte nga jugu, një nga veriu dhe një tjetër nga verilindja. Skema e mureve mbrojtëse përfshin një gjatësi 2600 m, ku Akropoli, pjesa e sipërme është pjesa më speciale e fortifikimit. Muret përbëjnë dy stile ndërtimi, i përkasin një faze kohore të lidhura këto me veçoritë stilistike morfologjike të mureve iliro-epirote. Nga një përllogaritje e thjeshtë mendohet të jenë mbi 80.000 copë blloqe të latuar me afro 100.000 m3 gur. E thënë pa frikë: një monument blloqesh guri ciklopikë, një vepër ndërtimore inxhinierike ndoshta e pashembullt në mbarë trojet shqiptare. Me 168 para kr, mbas pushtimit romak të Ilirisë së jugut qyteti vazhdon të ruajë rëndësinë e vet si qëndër ushtarake e administrative dhe si bazë detare në Adriatikun verior. Pati disa rindërtime të qytetit ilir, sidomos në Akropol dhe anën e poshtme e limanin e lumit. Në zonën kodrinore ku qenë vendosur kolonët romakë janë gjetur edhe gërmadha të banesave të tyre prej guri. Janë zbuluar edhe dy mbishkrime në gjuhën latine, që flasin për këtë rindërtim të pjesshëm të qytetit. Me sa duket, rindërtimi romak i mureve rezulton të jetë bërë rreth 250 vjet pas fortifikimit ilir.

Edhe në shekujt e parë pas Kr. Lezha do të vazhdojë të mbetet një qendër qytetare, administrativisht pjesë e provincës së Prevalit me qendër Shkodrën dhe një rimëkëmbje e saj do të nisë në fillim të shek.VI, ku kështjella e Lezhës do të ishte në listën e rindërtimeve të mëdha të perandorit Justiniani i Madh, rindërtime nëpërmjet të cilave qyteti bizantin i Lezhës do të hynte në qendrat më të mëdha të kohës. Kronikani i njohur si Anonimi i Ravenës në shekujt VII-VIII-të, do ta përmendë Lezhën si qytet bregdetar. Koha në të cilin ndodhi procesi i transformimit të ilirëve të lashtë në arbërit e hershëm, fakt i cili vërtetohet edhe nga materiali arkeologjik i një varreze arbnore zbuluar në Qafën e Kalasë. Pas dorëzimit të qytetit të Lezhës Republikës së Venedikut nga Progon Dukagjini, qyteti përjeton përfshirjen në shtetin venedikas, i cili do të vijojë pa ndërprerje deri në vdekjen e Gjergj Kastriotit. Kur pushtuan Lezhën me 1478 turqit hapën varrin e heroit të madh , i muarën eshtrat, i mbështollën me argjend e flori, për t’i përdorur si hajmali fatndjellëse për betejat e mëvonshme. Pushtohet nga turqit më së fundi me 1506 edhe Ishulli i Lezhës, i cili për për 23 vjet do të kish qenë i vetmi vend në bregdetin verior që qëndroi i pavarur.

Sherbime dhe kontakte

Adresa:

Lagjia Skenderbeg, Sheshi Gjergj Kastrioti
Lezhe, Albania
info@lezha.gov.al
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2016 Bashkia Lezhe