RRUGA “MONSINJOR ANTONIO SHARRA”

Në “Ditën e Rreshajave” dhe në përkujtim të emrit e kontributit të famullitarit të Blinishtit, misionarit të shpresës, priftit italian Monsinjor Antonio Sharra, kisha e kësaj famullie celebroi një meshë të shenjtë që drejtohej nga pasardhësi i Sharrës Dom Enso. Ishin të pranishëm besimtarë nga e gjithë Zadrima si dhe kreu i Bashkisë Lezhë z.Fran Frrokaj. 
Monsinjor Antonio Sharra, që shumë shpejt do të fitonte zemrat e zadrimorëve, shërbeu në këtë zonë 20 vite me radhë, duke mbjellur shpresën dhe dashurinë për njerëzit. Ai krioi “Ambasadorët e Paqes” dhe në vitin e prapësht të 97-ës, me gëzhojat e mbledhura nga fëmijët e Zadrimës, ideoi e prodhoi “Këmbanen e Paqes”. Monsinjor Sharra, për kontributin e tij të shquar është nderuar me Urdhërin “Nënë Tereza”. Aq i lidhur ishte me kishën dhe zadrimorët saqë 7 vite më parë, para se të ndërronte jetë la amanetin që ta varrosnin këtu në mjediset e oborrit të kishës, që si shumë të tjera, i ndërtoi vetë ai.
Për kontributin e dhënë në Njësinë Administrative Blinisht dhe në Zadrimë, me propozim të Bashkise Lezhë Keshilli Bashkiak ka vendosur dhënien e emrit “Monsinjor Antonio Sharra” rrugës që lidh Blinishtin me aksin kryesor Lezhë-Shkodër. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, kreu i Bashkisë Lezhë z.Fran Frrokaj dhe famullitari i Blinishtit Don Enso, vlerësuan kontributin e meshtarit Sharra për gjithë çfarë ka berë për Zadrimen. Më pas u zbulua dhe pllakati që mban mbishkrimin Rruga “Monsinjor Antonio Sharra”. Nga femijët “Ambasadorë të Paqes” u dha një koncert muziko-letrar shoqëruar me veprime koreografike.
Blinisht, 09.06.2019, Përgatiti Rrok Lelçaj

Sherbime dhe kontakte

Adresa:

Lagjia Skenderbeg, Sheshi Gjergj Kastrioti
Lezhe, Albania
info@lezha.gov.al
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2016 Bashkia Lezhe