Sherbimi i pastrimit dhe largimit te mbetjeve urbane

mbetjet_urbane

Mbrojtja e mjedisit dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve të ngurta urbane janë një objektiv parësor i bashkisë. Në territorin e bashkisë gjenden burime të rëndësishme natyrore të cilat kanë statusin e zonave të mbrojtura si laguna Kune-Vain - Tale, rreth 30 km vijë bregdetare në detin Adriatik, dhe një rrjet hidrik i pasur me jetë.
Zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së gjelbër përbëjnë potenciale të rëndësishme për përmirësimin e nivelit të jetesës së qytetarëve Lezhjanë. Këto veprimtari do të zhvillohen duke ruajtur e konsoliduar këto burime natyrore të rëndësishme nëpërmjet një mjedisi më të pastër dhe shfrytëzimi racional të tyre.
Bashkia e Lezhës është e qartë dhe kupton se menaxhimi i integruar i mbetjeve është një sfidë shumë ambicioze, por njëkohësisht është dhe një kusht që duhet përmbushur domosdoshmërisht për të mundësuar një mjedis të pastër dhe ekonomi të qëndrueshme.
Nëpërmjet Planit për Menaxhimin e Integruat të Mbetjeve 2017 – 2021, bashkia do të synojë grumbullimin e mbetjeve në të paktën 95 % të territorit dhe do të përmbushë të gjitha detyrime për reduktimin deri në 50 % të mbetjeve nëpërmjet riciklimit dhe kompostimit, kështu do të arrijë të gjitha objektivat kombëtare dhe kriteret e integrimit Evropian.
Përmbushja e këtyre objektivave është e kushtueshme, ajo kërkon, kohë, përkushtimin tonë por edhe të qytetarëve lezhjanë. Ne e kuptojmë se krahas vendosjes së një sistemi efektiv për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve, është e rëndësishme që qytetarët të bëhen pjesë e këtij përkushtimi. Bashkia nuk do të kursejë për të investuar në edukimin, ndërgjegjësim dhe pjesëmarrjen qytetare, ashtu sikundër ne do të bëjmë transparente të gjitha vendimet tona, për të mundësuar një rol sa më të madh të qytetarëve në zbatimin e këtij Plani.
Per kete i behet thirrje të zgjedhurve vendor, administratës vendore dhe qendrore në Lezhë, si dhe të gjithë qytetarëve që me përkushtim të bashkëpunojmë të gjithë së bashku për ta bërë këtë Plan një realitet dhe ta kthejmë Lezhën në një bashki të gjelbër dhe miqësore me mjedisin..

 PLANI I MENAXHIMIT TE INTEGRUAR TE MBETJEVE 2017 - 2021

Hartimi i Planit për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve Urbane 2017 – 2021 (PMIM) në bashkinë Lezhë është hartuar duke u mbështetur mbi një analizë të gjëndjes aktuale, të karakterisitkave kryesore që lidhen elementët e planifikimit si dhe në përputhje me legjislacionin, dokumentat strategjike dhe syminet e Shqipërisë në procesin e integrimit Evropian.
Analiza ka evidentuar problematikat kryesore sic janë renditur më poshtë:
 Nivel i ulet i mbulimit me grumbullimin e mbetjeve dhe standardid të shërbimit të largimit të mbetjeve të ngurta
 Nivel i ulet i riciklimit
 Kosto të larta të transportit
 Niveli i ulët i mbulimit të kostos nga të aradhurat prej tarifës së shërbimit
 Edukim dhe ndërgjegjësim i pamjaftueshëm,
 Investime kapitale të munguara
Bashkia e Lezhës është e qartë dhe kupton se menaxhimi i integruar i mbetjeve është një sfidë shumë ambicioze.
Nëpërmjet zbatimit të PMIM, bashkia do të përballet me sfidat kryesore të cilat do të adresojnë cështjet në vijim:
 Arritja e mbulimit me grumbullimin e mbetjeve në të gjithë territorin e aksesueshëm të Bashkisë Lezhë.
 Ofrimi i shërbimit sipas hierarkisë se menaxhimit të mbetjeve duke siguruar grumbullimin, reduktimin, ripërdorimin dhe riciklimin.
 Orjentimi drejt menaxhimit të qëndrueshëm të mbetjeve nëpërmjet reduktimit, rritjes se riciklimit dhe rikuperimi.
 Përcaktimi i rolit të komunitetit të mbledhësve informal në sistemin e menaxhimit të integruar të mbetjeve.
 Krijimi i bazës së të dhënave për optimizmin e shërbimit.
 Zbatimi i parimit “ndotësi paguan”, rritja e të ardhurave nga tarifa drejt mbulimit të kostove të shërbimit
Në kuadër të këtij Plani është vlerësuar se arritja e objektivave në harkun kohor 2017 – 2021, do ti kushtojë bashkisë Lezhë rreth 451,233,000 Lekë ose shumën ekuivalente prej 3,294,000 Euro. Plani sunon vendosjen e një sistemi efektiv për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve duke kombinuar disa mënyra, kontenierë, qese etj., përfshirë këtu investimet kapitale dhe mbulimin e kostove operacionale të cilat do të mbulohen kryesisht nga buxheti i bashkisë.
Për të rritur standardin dhe arritur objektivat në lidhje me reduktimin e mbetjeve, bashkia ka planifikuar ndërtimin e një Objekti për Reduktimin e Mbetjeve. Ky Objekt, me një velrë totale prej rreth 3.5 milion Euro do të realizohet në tre faza, dy prej të cilave më shumën 1,89 milion Euro në hakun kohor 2017 – 2021 ndërsa faza e tretë me shumën 1.6 milion Euro do të zhvillohet përtej horizonit kohor të këtij Plani. Parashikohet që investimi i këtij objekti të realizohet në bashkëpunim nga bashkia, buxheti i shtetit dhe donacione.

 Plani i Menaxhimit të Mbetjeve (PMIM) Urbane për Bashkinë Lezhe është hartuar në përputhje me qëllimet dhe afatet që parashikohen nga ligjet sektoriale të vendit, përfshirë Strategjinë Kombëtare dhe Planin Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve. Gjithashtu, përgatitja e këtij plani është në përputhje me afatin e rishikimit të planit pararendës të menaxhimit të mbetjeve të Bashkisë Lezhë duke futur këtu dhe ndryshimet territoriale qe vijnë si pasoje e Ndarjes se re Administrativo-Territoriale. Ligji për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve1 i cili është aprovuar nga Parlamenti në fund të nëntorit 2011, adapton plotësisht direktivat e BE-së (75/442/EEC), si dhe përcakton njëherazi hierarkinë e autoriteteve në menaxhimin e mbetjeve, duke ngarkuar me përgjegjësi bashkitë për të hartuar, miratuar dhe zbatuar Planin Vendor për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve.
Ky plan përcakton mënyrën sipas së cilës do të ushtrohet dhe shtrihet funksioni i menaxhimit të mbetjeve në bashkinë Lezhë. PMIM ofron zgjidhje lokale gjerësisht të pranuara dhe një kuadër të miratuar pune, sipas të cilit mund të merren vendime lidhur me infrastrukturën që nevojitet për të përmbushur zbatimin e praktikave më të mira mjedisore. Plani nxit një pjesëmarrje më të mirë të gjitha palëve dhe paraqet një këndvështrim strategjik të menaxhimit të mbetjeve, duke e vënë theksin në zgjerimin e zonës së shërbimit, në sasinë në rritje të mbetjeve dhe lehtësirat e nevojshme për menaxhimin e mbetjeve.
Gjithashtu, plani përfshin:
 Vlerësim të gjendjes aktuale të shërbimit të largimit të mbetjeve të ngurta urbane;
 Qëllimin dhe objektivat për shërbim cilësor të menaxhimit të mbetjeve;
 Sistemi i matjes se performancës;
 Një plan të detajuar teknik dhe financiar për menaxhimin e integruar të mbetjeve; dhe,
 Protokollin e monitorimit dhe vlerësimit (M&V)
Ky plan është ideuar në përputhje me manualin për planifikimin e shërbimit të largimit të mbetjeve bashkiake të DLDP (Planning Local Waste Management, 2012).
Gjithashtu llogaritja e kostove të këtij plani janë bere në përputhje me manualin e llogaritjes se kostos të hartuar nga DLDP “Manuali i llogaritjes se kostove për shërbimin e menaxhimit të mbetjeve të ngurta në nivel lokal në Shqipëri” - titulli origjinal (CALCULATING THE COST FOR SOLID WASTE MANAGEMENT AT LOCAL GOVERNMENT UNIT LEVEL IN ALBANIA, 2013)

Impakti Mjedisor i Planit për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve 2017 – 2021 në Bashkinë Lezhë
Zbatimi i Planit për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve do të përmirësojë në mënyrë të konsiderueshme impaktin mjedisor nga mbetjet në të gjithë territorin e bashkisë nëpërmjet:
 Zvogëlimit maksimalisht të hedhjes së mbetjeve në mënyrë të pakontrolluar në natyrë dhe veçanërisht në rrjedhat ujore sipërfaqësore;
 Rikuperimin e burimeve të vlefshme nëpërmjet riciklimit dhe kompostimit dhe reduktimin e mbetjeve që depozitohen përfundimisht në venddepozitim;
 Mbrojtjen e vendbanimeve, zonave turistike dhe ekosistemeve nga depozitimi i pakontrolluar i mbetjeve në natyrë.
Si rrjedhojë, kontrolli mbi grumbullimin, trajtimin dhe depozitimin përfundimtar do të kontribuojnë në zvogëlimin e gazeve serë që gjenerohen nga mbetjet.
Në mënyrë të veçantë menaxhimi i integruar i mbetjeve në bashkinë Lezhë do të ndikojë në:
- Cilësinë e Ujërave Sipërfaqësorë: shtrirja e mbulimit me grumbullimin e mbetjeve nëpërmjet sistemit të kontenierëve të kombinuar me qese në të paktën 95% të territorit të bashkisë do të minimizojë impaktin negativ të lëngjeve të ndotura që gjerohen nga hedhja e pakontrolluar e mbetjeve përgjatë rrjedhave ujore.
- Flora, Fauna dhe Biodiversiteti: Në territorin e bashkisë së Lezhës ndodhen zona / habitatet ujore me ndjeshmëri të lartë si laguna Kune - Vain – Tale, lumi, Drin dhe vija bregdetare. Eliminimi i hedhjes së pakontrolluar të mbetjeve në këto zona do të përmirësojë kushtet e jetesës dhe do të mundësojë ruajtjen e vlerave natyrore te faunës, florës dhe biodiversitetit në këto habitate.
- Peizazhi dhe aspekti vizual: Çështja kryesore lidhur me këtë aspekt do të jetë aspekti vizual që japin pastërtia nga mbetjet dhe veçanërisht eliminimi i grumbullimeve të pakontrolluara të mbetjeve. Standardi i shërbimit, shpërndarja dhe cilësia e kontenierëve, do të krijojnë mundësinë e eliminimit të vend depozitimeve të pakontrolluar, rrjedhimisht do të përmirësojnë peizazhin dhe aspektin vizual nga mbetjeve e shpërndara në territor.
- Ekonomia dhe jetesa: Baza e ekonomisë dhe jetesa sigurohen nga turizmi, atraksioni i burimeve natyrore dhe ekonomia bujqësore. Lezha është kthyer në një qendër të atraksionit kulinar mbi bazën e prodhimeve bio. Këto burime rrezikohen nga administrimi irracional i mbetjeve. Kontrolli mbi grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve ashtu siç propozohen në këtë Plan, kanë për synim që të sigurojnë një mjedis të pastër dhe atraktiv i cili mbështetet në zhvillimin e qëndrueshëm dhe miqësor ndaj mjedisit.
- Shëndeti dhe siguria e komunitetit: Shëndeti dhe siguria e banorëve të Lezhës mund të ndikohet nga mënyra se si grumbullohen, transportohen dhe trajtohen mbetjet. Standardi i grumbullimit dhe transportit, si dhe mjetet që kërkohen në zbatim të Planit japin siguri për ruajtjen e shëndetit, minimizimin e ndotjes se ajrit dhe zhurmave.
- Biodiversiteti në zonat e mbrojtura: Hapësira Kune – Vain – Tale është një zonë e mbrojtur e kategorisë së IV-tët. Sistemi i menaxhimi të mbetjeve siç është planifikuar në këtë dokument, ka marrë në konsideratë në mënyrë të veçantë ruajtjen e biodiversitetit dhe të habitateve në këtë zonë. Megjithëse tregohet kujdes, në këto zona Plani do të sigurojë grumbullimin e rregullt dhe të kontrolluar të mbetjeve, me fokus eliminimin e vend depozitimeve të paligjshme të cilat mund të cenojnë sigurinë dhe kushtet diverse të ekosistemit të këtij habitati.

 

 

Sherbime dhe kontakte

Adresa:

Lagjia Skenderbeg, Sheshi Gjergj Kastrioti
Lezhe, Albania
info@lezha.gov.al
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2016 Bashkia Lezhe