• English

Shkembim eksperiencash midis Bashkise Lezhe dhe komunes Bra te Italise ne fushen e Bleterritjes

Në kuadër të Paktit të Miqësisë ndërmjet komunës Bra dhe Bashkisë Lezhë, është organizuar një takim mes bletërritësve ku janë shpalosur tematika për mënyrën e rritjes, kurimit dhe degustimit të mjaltit. Në këtë takim ishte prezent edhe dott. Pozzolo Dario, një bletërritës profesionist dhe president i komisionit të agrikulturës në komunën Bra-Itali. Takimi u zhvillua nga data 19 shkurt  deri me 26 shkurt 2017. Programi përmbante 3 ore  leksione paradite nga data 20 shkurt deri me datë 23 shkurt 2017 me pjesëmarrjen e 30 bletërritësve.
Dita e parë shërbeu për të njohur mënyrat, teknikat që përdorin dhe vështirësitë që hasin bletërritësit në zonën e Lezhës.
Në ditën e dytë, ndërmarrja e bletërritësit Pozzolo, ka prezantuar mënyrën sesi trajton këtë proçes, duke na njohur me teknika të reja dhe frytdhënëse, si: furnizimi, prodhimi, punimet në laborator, trajtimi kimik dhe fizik, si dhe çfarë duhet bërë për të luftuar sëmundjet që kapin bletët. Ky prezantim shfaqi një interes shumë të lartë tek bletërritësit, interes që u shoqërua me diskutime të shumta.
Dita e tretë u përqëndrua mbi prodhimin final, mjaltin. U cilësuan karakteristikat e një prodhimi të shëndoshë dhe të pastër. Programi theksoi rëndësinë e një ushqimi cilësor dhe të shëndetshëm dhe një mënyrë për të ofruar një mjalt cilësor në enë cilësore u zgjodh të përdoren enë xhami dhe një etiketë që shërben për garanci për konsumatorin.
Në itali kontrollet për këtë ushqim janë shumë të rrepta dhe në rastet kur ka shkelje vendosen sanksione me gjobë. U diskutua mundësia për të eksportuar mjalit që prodhohet në Shqipëri drejt Europës, dhe për këtë duhet që të gjitha fazat e cilësisë së mjaltit të jenë të rregullta dhe cilësia të jetë e një standarti shumë të lartë.
Dita e katërt është shoqëruar me një degustim profesional të mjaltit që prodhohet në Shqipëri dhe të mjaltit që prodhohet në Itali. Ky proçes u zhvillua në një ambient të përshtatshëm dhe të këndshëm agroturizmi me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shoqatave të bletërritësve në Shqipëri.
Pas degustimit të mjalit, programi u konkretizua me një shëtitje në rrethinat e Bashkisë Lezhë për të parë më nga afër mënyrën e rritjes së bletëve dhe prodhimit të mjaltit.
Ky eveniment tërhoqi vëmendjen e medias lokale, dhe shërbeu si një urë lidhëse mes shtetit fqinj dhe bletërritësve shqiptarë. Duke shpalosur kështu ide, teknika që do të shërbejnë për zgjidhjen e disa problematikave që i shoqërojnë bletërritësit tanë, problematika që nuk kërkojnë shumë kosto dhe që mbi të gjitha kanë një impakt të drejtpërdrejtë në cilësinë e mjaltit që prodhohet. Në fund të programit u shpërndanë çertifikata pjesëmarrjeje për të gjithë bletërritësit.
Kjo është një iniciativë pozitive që u mirëprit nga target grupi, duke bërë të mundur njohjen e tyre me praktika bashkëkohore perëndimore. Nga kjo eksperiencë, si specialist i projekteve dhe ideve inovatore sugjeroj të ndërmerren edhe iniciativa të tjera të ngjashme.
Konceptoi : Gjovalin Marku / specialist i projekteve
Drejtoria e Integrimit Europian dhe Programeve të Zhvillimit

Sherbime dhe kontakte

Adresa:

Lagjia Skenderbeg, Sheshi Gjergj Kastrioti
Lezhe, Albania
info@lezha.gov.al
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2016 Bashkia Lezhe