Shtëpia e Fishtës në Lezhë ende e parikonstruktuar dhe përgjegjësia shkon për Ministrinë e Kulturës

Ky është fshati Fishtë e epërme, në Zadrimë të Lezhes, ku më 23 tetor të vitit 1871 lindi poeti ynë kombëtar At Gjergj Fishta. Shtëpisë ku lindi nuk i kanë mbetur as rrënojat. Siç argumenton përgjegjësi i sektorit të trashëgimisë kulturore pranë Bashkisë Lezhë Paulin Zefi, themelet e saj gjënden këtu tek ky obelisk modest që mban lart kryqin dhe flamurin. Aty shkruhet ditëlindja dhe ditëvdekja e Fishtës, që për një gjysëm shekulli ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje qëkur ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”
Kjo shenjë identifikuese e lindjes së poetit, u vendos në fillimet e këtij shekulli nga famullitari i Blinishtit, prifti italian i ndjerë, Dom Antonio Sharra, pasi revolucioni kulturor-ateist i 67-ës fshiu në këtë vend gjithçka ndodhej mbi dhe. Por që atëherë, shprehet botuesi Frano Kulli askush nuk u kujtua për ta pasuruar këtë obelisk me një projekt të ri, ku identifikohet e promovohet denjësisht shtëpia ku lindi Fishta, por dhe figura e veprimtaria e tij letrare.
Kur Fishta ishte në moshën 6-vjeçare familja e tij spostohet nga Fishta e epërme në Fishtën e poshtme, jo më shumë se 3-4 km nga këtu. Por siç shikoni nga pamjet shtëpinë ku jetoi poeti e ka mbështjellë totalisht shkatërrimi. Qytete, rajone e kombe të tjera të qytetëruara, me siguri që do mburreshin me figurën e Fishtës po ta kishin të tyre, dhe nuk do e linin në këtë gjëndje shtëpinë  ku poeti shkruajti “Lahutën e Malësisë” e mijëra vargje të veprës së tij letrare, e ku  ai jetoi periodikisht deri në ditët e fundit të jetës. Gjithshka këtu, si brenda shtëpisë ashtu dhe jashtë saj, është në degradim e po shkatërrohet dita ditës.
Shtëpia është shpallur monument kulture, por kaq nuk mjafton, pasi ajo po shkon drejt një amortizimi e degradimi të përgjithshëm. Asnjë investim restaurues nuk është bërë këtu pas viteve 90-të, veç vendosjes së një busti  të realizuar nga dy bashkëkombasit tanë nga Gjilani i Kosovës, financuesi Sabri Maxhuni dhe skulptori Avni Beluli. Stërnipi i Fishtës dhe bashkëkohës i tij, Gac Kel Leka, që ka prekur në kapërxyellin e 80-viteve, shprehet se kjo shtëpi duhej të restaurohej me patjetër në nderim dhe respekt të figurës së At Gjergjit.
Botuesi Frano Kulli thotë se pergjegjesia shkon per institucionet e shtetit, kryesisht Ministrine e Kultures. Mosrestaurimi i shtëpisë se Fishtës është një shembull i pangjarë në gjithë Europën e qytetëruar dhe sot restaurimi i saj është emergjencë kombëtare.
 Përgjegjësi i sektorit të trashëgimisë kulturore prane Bashkisë Lezhë Paulin Zefi evidenton faktin se për restaurimin e shtëpisë së Fishtës janë gati të financojnë donatorë të ndryshëm por ekziston dhe një projekt i miratuar nga vetë Ministria e Kulturës,  Instituti i Monumenteve dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, që nuk u zbatua asnjëherë. Restaurimi i kësaj shtëpie do kthehet në një qëndër peligrinazhi, ku çdo vit mund të mirëpresë me shumë se 40 mijë vizitorë e turistë të huaj.
Koha e pritjes ka përfunduar dhe asgjë nuk e përligj gjëndjen në të cilën është katandisur shtëpia ku jetoi e punoi poeti ynë komëtar At Gjergj Fishta, profet i shqiptarizmës, diplomat, njeri i letrave,  piktor, arkitekt, deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave dhe mbrojtës i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Përgatiti Rrok Lelçaj  Fishtë, Lezhë, 30.10.2018
 

Sherbime dhe kontakte

Adresa:

Lagjia Skenderbeg, Sheshi Gjergj Kastrioti
Lezhe, Albania
info@lezha.gov.al
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2016 Bashkia Lezhe