Strategjia kulturore

Vizioni:

Lezha, qytet turistik qe pasuron trashgimine unike historike dhe kulturore, me ekonomi ne rritje e biznes inovator e konkurrues, me lidhje te shpejta e zhvillim urban e mjedisor te qendrueshem, qytet me komunitete dinamike, qe frymezon progres e krijimtari e qe ofron dije te avancuar e mireqenie per te gjithe.

Qellimi strategjik:

Lezha nje qytet me turizem te qendrueshem bazuar ne trashigimine e pasur kulturore,historike e arkeologjike, ku vizitoret i gezohen bukurive natyrore dhe ofertes cilesore turistike.

Strategji e zhvillimit sektorial te Kultures 2011-2015

Trashëgimia Kulturore

Qyteti i Lezhës flet për një histori të pasur: monumentet e kulturës, objektet e kultit, monedhat, gjetjet arkeologjike, dokumentat e shkruara, ngjarje e figura të shquara dhe një trashëgimi e madhe kulturore, folklorike, veshje e etnografike etj. Janë dëshmi për të kaluarën e qytetit 2400 vjeçar. Kjo është pasuri e brezave dhe përbën detyrimin kundrejt të shkuarës e së ardhmes për t’i mbajtur dhe për t’i përcjellë ato me vlerat që mbartin drejt ardhmërisë.

Trashëgimia monumentale

Emri i qytetit të Lezhës përmendet nga historianët grekë e latinë në kronikat veneciane. Rëndësi të veçantë do të merrte ai në shekullin e XV. Gjatë kësaj periudhe Lezha do të quhej edhe si “kryeqyteti diplomatik” i Arbërisë. Por ftillëzimi i historisë njerëzore në Lezhë gjallon që në kohërat parahistorike, epokën e bronzit dhe të bakrit. Qyteti e rrethinat ruajnë vlera thuajse unikale siç janë: akropoli, qyteti antik, objekte kulti si kasha e xhami, kalaja mesjetare, mbishkrime e pllaka, vula e monedha të gjetura në këtë qytet e rrethinat e tij.
Megjithatë duhet thënë se këto monumente të rralla, afreske e pasuri të tjera, shumë prej tyre vuajnë nga efektet shkatërruese të dukurive natyrore, por edhe nga ndërhyrje e veprime dëmtuese të njerëzve. Duhet thënë gjithashtu, se megjithë përpjekjet e dëshirat, gjatë këtyre 20 vjetëve, financimet për kujdesin, restaurimin e mirëmbajtjen e tyre kanë qenë të pakta ose shpesh kanë munguar. Për këtë shkak disa syres si kalaja, muri antik, pasuri etnogafike të spikatura, relike e veshje, almise e vegla muzikore të vjetra të mbledhura, në mjaft raste për shkak të harresës, edhe janë dëmtuar e zhdukur. Megjithatë, kjo fazë s’ka qenë e lidhur vetëm me anën finaciare, një degradim e dëmtim i zonës arkeologjike e vlerave muzeale ka ardhur edhe për shkak të uljes shpesh herë të autoritetit institucional dhe të istitucioneve qëndrore si Institutet e monumenteve apo vetë Ministrisë së Kulturës e intitucioneve tjera përgjegjëse të cilat kanë sjellë humbje të kontrollit mbi territoret e Lezhës.
Sidoqoftë qyteti i Lezhës i viteve të fundit, në bashkëpunim edhe me partnerë të huaj, ka qenë në vëmendjen e specialistëve të kësaj fushe. Në qytetin e Lezhës ushtrojnë veprimtarinë e tyre prej disa vitesh, dy - tre ekspedita gjermane, franceze e austriake të cilat kanë risjellë pranë nesh edhe veprimtari shkencore, zbulime të reja me vlerë, kanë marrë nën kujdes fragmente të cilat edhe për shkak të vizionit për monumentet, rrezikoheshin të dëmtoheshin apo të vazhdonin të dremitnin e të linin nën tokë pa u zbuluar, duke siguruar mbi to ndërhyrje të organizuara.

Ndër synimet tona në planin strategjik për periudhën në vazhdimësi është përcaktimi i një vizioni të ri, i një filozofie që ndërthur natyrshëm përvojën tashmë të pasur deri më tani me arritjet më të larta të standarteve bashkëkohore, të krahasueshme këto me rajonin e më gjerë. Edhe në Lezhë, pasuria me vlera që për fat e disponojmë, të mos konsiderohen thjesht si relike apo monumente në vetvete, por edhe si resurse e mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit kulturor e historic, si pjesë e të ardhmes ekonomike e banorëve të këtushëm.

Në këtë kuadër, disa prej vizioneve tona kanë të bëjnë:

  1. Me zbulimin më tej e ruajtjen e kësaj trashigimie si pjesë e gjallë e pasurisë së trashëguar nga të parët.
  2. Forcimi i ndjenjës amëtare dhe ruajtja e identitetit territorial e kombëtar.
  3. Evidentimi, inventarizimi, katalogimi dixhital i kësaj pasurie dhe ruajtja e organizuar e kësaj dëshmie të vyer të Lezhës antike.
  4. Ndërgjegjësimi i njerëzve, institucioneve që kanë detyra në këtë fushë dhe i drejtuesve lokalë për të vënë në punë forcat krijuese, intelektuale e specialistët më të zot të Lezhës për të hartuar programe e realizuar projekte, për harmonizimin e punëve deri afatgjata dhe për një zhvillim të mbarë, gradual e të qëndrueshëm.
  5. Përpilimi i rregulloreve bazë të institucioneve përkatëse në qytet dhe koordinimi me aktor e faktor tjerë, lehtësime, ndihmë e bashkëpunim që u lejon shoqatave, pronarë e fondacioneve të kudesen për ndërtesa, prona e monumente që i kanë në afërsi, riparimi i tyre pa dëmtuar strukturën dhe atmosferën e tyre, përfshirë edhe objekte në ruajtje apo pasuri etnografike, relike, objekte e vlera folklorike etj. Me të cilat Lezha e rajoni i saj janë mjaft të pasura.
  6. Një ndër strategjitë e zhvillimeve kulturore është acvancimi në çertifikimin ligjor të zonës muzeale e monumentet që administrohen, të cilat në bashkëpunim me institucionet e ngarkuara me ligj në qendër, përgjigjen për mbrojtjen e tyre. Fjala është për organizimin më të mirë të punës për plotësimin dokumentar e shkencor, duke e pajisur sejcilin prej tyre deri edhe çdo object me pasaportat përkatëse teknike, të cilat të përmblidhen pastaj në të dhënat arkivore të qytetit të Lezhës. Natyrisht ky process do të ndiqet paralelisht me masat administrative, organizative e ligjore, që do të marrë Bashkia, me urdhëresa e rregulla ligjore për mbrojtjen e tyre, duke i parë të lidhura ngushtë me njëra - tjetrën, dokumentacion i cili të mund të shërbejë për të përgatiur në kohë projekte që çojnë në zbulimin e qytetit antik, restaurimin e vlerave të dukshme dhe gërmimet që çojnë në zbulimin e asaj historie të pasur që ruan përbrenda qytetit i Lezhës dhe rrethinat e tij.

Me pasuritë historike e arkeologjike, Lezha është një prej qyteteve që tërheq vizitorë, të vendit e të huaj. Prandaj ndër synimet e afërta mbetet edhe prezantimi si qytet i tillë.

Në këtë kuadër nevojiten një plotësim i infrastrukturës, sinjalistikës bashkëkohore, propagandimi i tyre i parë ngushtë botuese e mediatike të vetë institucioneve si Drejtorisë së Kulturës në Bashki. Muzeut, Bibliotekës etj. Të cilët duhet të synojnë jo vetëm për publik elitar, por edhe për publikun e gjërë. Ndër drejtimet tona do të jenë ndërrmarja e botimeve serioze në këtë fushë, në mënyrë që qytetari apo të ardhurit të marrin më shumë infromacion për pasuritë tona kulturore, materiale e shpirtëror, and duke u bërë pjesë aktive në ndryshimet cilësore që nevojiten.

Trashegimia e luajtshme

Bashkia, administrata e saj, si dhe institucionet vartëse me specialisët e tyre kërkohet të vlerësohet më lart ajo trashigimi e luajtëshme e cila përbën vlera unikale në zonat e Lezhës. Pjesërisht ndodhet e magazinuar dhe e inventarizuar, një pjesë e fondeve të librit fetar religios është i ruajtur në bibliotekën publike. Por ka edhe vlera që zotërohen nga familjarë. Ajo çka kërkohet është:

  • Evidentimi, verifikimi dhe ruajtja e identitetit të këtyre objekteve, kujdesi për standartet muzeologjike si rritja e standarteve shkencore në trajtimin e kësaj pasurie, si dhe krijimi i kushteve për ekspozim e propagandim të kësaj pasurie të luajtëshme për tregun turistik dhe për t’a plotësuar këtë kusht, Lezha e ka synim të vetin pajisjen me muzeun e ri historik si dhe
  • Ringritjen e ish muzeut etnografik, i cili ishte njëri prej muzeumeve me vlera të mëdha deri unikale Kjo do të krijonte kushte më të favorshme për edukimin e popullsisë me vlerat e kësaj trashihgimie, veçanarisht për brezat e ri e sistemin e arsimit si dhe do të rriste përdorimin e hapërirave muzeale për veprimtari sociale.

Lezha, e populluar nga mirditor, zadrimorë e malësorë të malësisë së madhe përveç një pasuri gjuhësore, veshje etj ka dhe një pasuri të madhe zakonore, dokesh, besimesh e bestytnishë e rite të motmotit, të cilat lidhen jo vetëm me lashtësinë por edhe me një larmi besimesh e ritesh të fesë, të cilat vazhdojnë të ruhen deri në ditët tona, pasuri e cila është e domosdoshme të sillet në larminë por dhe në kushtet e zhvillimeve të reja.

Dhe në këtë aspekt njohje, grumbullimi e dokumentimi i këtyre vlerave do të ishte një kusht edhe për ruajtjen e përcjelljen e tyre në kujtesën e s’ardhmes.
Pa harruar mjeshtëritë, zejet e zanatet e ndryshme ku Lezha paraqitet me një gamë të gjerë punimesh ardhur nga përvoja e gjatë e shekujve. Nga gdhendjet në dru e punimi me dorë i furkave, lahutave e çiftelive, enëve të bulmetit e meremetimeve zbukurimore të shtëpive, tavaneve etj. Punimet në gur, gdhendjet interesante e ornametet mahnitëse, punimet e latuara të kullave e frengjive, thurjet me punime kashte e endjet e pëlhurave sit ë Zadrimës etj të cilat janë të rrezikuara prej jetës moderne.

Përtëritja e rikthimi i këtyre traditave, mbetet njëri prej prioritetet tona për vitet që vijnë duke ndikuar për mirë në turizmin kulturor të Lezhës e të zonave përreth.

Sherbime dhe kontakte

Adresa:

Lagjia Skenderbeg, Sheshi Gjergj Kastrioti
Lezhe, Albania
info@lezha.gov.al
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2016 Bashkia Lezhe