Trajtimi i qenve endacakë, projekt që po mbështetet nga Bashkia Lezhë

Trajtimi i qenve endacakë është një projekt i mbështetur nga Bashkia Lezhë dhe që po gjen zbatim në gjithë territorin e saj. Në bashkëpunim me Organizatën “Jeta, kafshët dhe njerëzit’’ dhe fondacionin “Straycoco”, këtij problemi, që lidhet me qentë e rrugës, po i jepet një zgjidhje humane dhe e qëndrueshme. Projekti “Kap, sterilizo e kastro, vaksino dhe lësho”, është një proçedurë pune që po zbatohet me rigorozitet sipas të gjitha standarteve të pranuara të trajtimit të qenve endacakë. Presidentja e Organizatës “Jeta, kafshët dhe njerzit” Gjinoveva Myllet-Hasanaj, mjeku veteriner pranë Bashkisë Lezhë Gjovalin Kaceli dhe përfaqësuesi i Fondacionit “Straykoko” Blendi Bejdoni shprehen optimistë në rezultatet pozitive që pritet të ketë ky projekt në Lezhë.
Vrasja nuk eleminon qentë e rrugës. Statistikat tregojnë se 80-90% e qenvë endacakë kanë pronarë të cilët nuk kujdesen për ta por i lënë rrugëve në mëshirë të fatit. Kjo situatë ka rritur numrin e qenve endacakë në qytete e zona të tjera të banuara, duke u bërë një shqetësim serioz për njerëzit. Por qëniet që varen nga ne nuk braktisen, nuk vriten dhe nuk lihen në mëshirë të fatit. Me këtë projekt, ky bashkëpunim i Bashkisë Lezhë shumë shpejt pritet t’i japë fund këtij fenomeni dhe qentë endacakë të trajtohen në qendra të specializuara. Deri tani shkon mbi 200 numri i qenve që janë kapur, sterilizuar e vaksinuar dhë që po trajtohen në qendra të posaçme. Puna vijon deri në kapjen dhe trajtimin e qenit të fundit endacak.
Përgatiti Rrok Lelçaj    Lezhë, 26.03.2019

Sherbime dhe kontakte

Adresa:

Lagjia Skenderbeg, Sheshi Gjergj Kastrioti
Lezhe, Albania
info@lezha.gov.al
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2016 Bashkia Lezhe