VENDOSET NË SHESHIN “GJERGJ FISHTA LEZHË”, KRYEVEPRA E TIJ LETRARE “LAHUTA E MALCISË”

Në sheshin para Obeliskut të Besëlidhjes së Lezhës, janë bërë bashkë bulevardi që mban emrin e poetit tonë kombëtar “Gjergj Fishta” dhe kryevepra e Tij “Lahuta e Malcisë”, një vëllim poetik ky prej 17 mijë vargjesh, i cilësuar nga studiues me famë botërore si Ilijada Shqiptare, apo Bibla e Levruesve të Shqipes. Në përmbushjen e  pritshmërive ndaj këtij kolosi të letrave shqipe, edhe për faktin se Lezha e lindi Fishtën, kryebashkiaku Pjerin Ndreu, realizon këtë projekt të munguar ku qytetarët e kanë mirëpritur.
Kthehemi një çast në retrospektivë. Shikoni si ishte ky rrethrrotullim vetëm pak kohë më parë.  Një gomë makine i ngrirë së brendshmi në beton, një stilistikë e përçudnuar  kjo, që njoftonte një rrethrrotullim të detyruar, duke krijuar një dizonancë dhe kontrast të keq me sheshin e qytetit dhe me historinë e lavdishme të Obeliskut të Kuvendit të Lezhës. Sot gjithçka është ndryshe. Janë realizuar shumë elementë urbanistikë dhe është vlerësuar emri, krijmtaria letrare dhe kryevepra e Fishtës “Lahuta e Malcisë”, ku shumë Lezhjanë e Shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, e dinë dhe sot atë përmendësh.
Për atdhedashurinë e tij dhe krijimtarinë e pasur letrare, Lasgush Poradeci e cilëson Fishtën si militant i letërsisë shqipe, shkëmb i tokës, shkëmb i shpirtit shqiptar, ndera e gjallë e Kombit të vet. Ndërsa Eqerem Çabej, e vlerësonte si poet kombëtar të shqiptarëve dhe  Maksimilian Lamberc si Homeri Shqiptar. Lezha e mbarë kombi shqiptar ndjehen të detyruar në vlerësime  dhe krenarë që Fishtën e kanë të tyre.
Përgatiti Rrok Lelçaj, Lezhë, 06.02.2020

Sherbime dhe kontakte

Adresa:

Lagjia Skenderbeg, Sheshi Gjergj Kastrioti
Lezhe, Albania
info@lezha.gov.al
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2016 Bashkia Lezhe