Zadrimorët mblidhen në Gjadër dhe festojnë Shën Jozefin

Zadrimorët mblidhen në Gjadër dhe festojnë së bashku Shën Jozefin. Një atmosferë festive krijohet në qëndren e Gjadrit ku instrumentistë, interpretues të këngës e lojrave të ndryshme dhe valltarë me kostumet tradicionale të krahinës, nën ritmet e melosit popullor këndojnë e kërcejnë  vallet e këngët e folkut burimor të trevës së Zadrimës.
Panairi i vlerave të traditës, artizanatit, qëndismave të pëlhurës, tezgjahut, prodhimeve të fshatit dhe kulinarisë, kanë shtuar interesin e banorëvë për këtë festë të cilët kanë ardhur nga të gjithë fshatrat e Njësisë Administrative të Dajçit. Ky aktivitet organizohet nga Bashkia Lezhë në bashkëpunim me Famullinë e Blinishtit, Shkollën e mesme “Gjovalin Gjadri” dhe mbështetur nga projekti: “Aleanca për Zhvillimin dhe Vlerësimin e Bujqësisë familjare në Veri të Shqipërisë”. 
Të pranishmit panë nga afër panairin dhe ndoqën një koncert me numra të zgjedhur përgatitur nga Pallati i Kulturës Lezhë dhe nxënësit e shkollës “Gjovalin Gjadri”. Në fjalën e tij përshëndetëse kreu i Bashkisë së Lezhës z.Fran Frrokaj, duke i uruar festuesit për Ditën e Shën Jozefit ftoi emigrantët që të vijnë pranë familjeve të tyre dhe të kërkojnë që festime të tilla të kthehen në një traditë të përvitshme. Promovime të tilla, vijoi Kryetari i Bashkisë Lezhë, në panaire si këto të krijojnë mundësinë që të shërbejnë për punësimin e grave dhe vajzave të Zadrimës aq të dalluara në punimet artizanale të traditës. 
Përshëndetën edhe përfaqësuese të shoqatës së Gruas dhe COSPE.
Veprimtari si këto të zhvilluara në Gjadër të Lezhës, po vlerësohen, mbështeten e promovohen nga Bashkia Lezhë pasi ndikojnë në zhvillimin e turizmit tradicional, zbutjen e papunësisë, rritjen e rolit të gruas në familje dhe përmirësimin e ekonomisë familjare.
Përgatiti Rrok Lelçaj,  Gjadër, 18.03.2019

Sherbime dhe kontakte

Adresa:

Lagjia Skenderbeg, Sheshi Gjergj Kastrioti
Lezhe, Albania
info@lezha.gov.al
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2016 Bashkia Lezhe