“Monument Kulture”, Kuvendi ku u shkollua At Gjergj Fishta

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Restaurimit, iu dha statusi “Monument Kulture” Kuvendit të Troshanit. Kuvendi i Troshanit, i ndodhur në Troshan të Lezhës, ka nxjerrë françeskanë të shquar si At Gjergj Fishta, Ambroz Marlaskaj, Leon Kabashi, Shtjefën Gjeçovi, Pashko Bardhi e shumë të tjerë, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë dhe kulturën shqiptare. Kuvendi i Troshanit, është restauruar dhe sistemuar me shumë kujdes nga Provinca Françeskane Shqiptare. Ai zotëron ambiente të brendshme të bollshme dhe shumë të përshtatshme për krijimin e një muzeu përkujtimor në nderë të të gjithë figurave të ndritura françeskane shqiptare, duke u bërë kështu edhe një mundësi e shkëlqyer për turizëm kulturor. Në këtë Kuvend u shkollua dhe më vonë shërbeu At Gjergj Fishta. Kuvendi i Troshanit ndodhet jo larg fshatit Fishtë, aty ku etërit françeskanë në vitin 1639 erdhën në shkrepat e këtij fshati të Zadrimës duke ngritur një Kishë dhe një shtëpi të të varfërve. Më vonë, etërit françeskanë ishin ulur në vendin e tanishëm, ku me ndihmën e Austro-Hungarisë ndërtuan Kishën dhe Kuvendin në vitin 1857. Në vitin 1880, u dha leja e hapjes së kolegjit (shkollës) në ketë Kuvend që u inaugurua më 14 prill 1882, nga misionarët: At Mariano Pizzochini prej Palmanova, (Udine) dhe At Gian Pierro Ferrari, prej Bergamo.
Rr.Lelçaj

 

Sherbime dhe kontakte

Adresa:

Lagjia Skenderbeg, Sheshi Gjergj Kastrioti
Lezhe, Albania
info@lezha.gov.al
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2016 Bashkia Lezhe