ë kuadrin e Ditës Botërore të Bletëve është organizuar në Lezhë panairi i prodhimeve të bletarisë “Pa bletë s’ka jetë – Mbrojmë bletët, mbrojmë planetin”. Aktiviteti nis tek Obelisku i Kuvendit të Lezhës, ku u mblodhën 500 bletarë nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët, duke apeluar për rëndësinë e mbrojtjes dhe zhvillimin e bletarisë, evidentuan dhe shtruan për zgjidhje problematikat që hasen në këtë sektor. Në panair morën pjesë shumë kompani të cilat kishin ekspozuar prodhimet e tyre cilësore të bletarisë. Në këtë aktivitet promovues të organizuar nga Bashkia Lezhe, “Farmvet Lezha” dhe Shoqata e Bletarëve të Shqipërisë, asistuan bletërritës nga rrethe të ndryshme të vendit, por dhe nga Kosova, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut. Koordinatori i panairit, doktori i mjekësisë veterinare Preng Pepa, evidentoi faktin se duhen bërë përpjekje maksimale që kjo qënie shumë e rëndësishme që sot ndihet e rrezikuar, të zhvillohet duke qenë në shebim të kulturave bujqësore dhe rritjes së prodhimit të mjaltit, dyllit dhe qumështit të mbretëreshës. Kryebashkiaku Fran Frrokaj, theksoi se institucioni i bashkisë do të mbështesë evenimente të tilla që lidhen me zhvillimin e sektorit të bletarisë. Zëvendësministri i bujqësisë Dhimitër Kote, u shpreh se ky dikaster po mbështet sektorin e bletarisë dhe ka marrë masa për parandalimin e pesticideve që dëmtojnë këtë sektor. Përshëndeti në këtë panair dhe ambasadorja e Sllovenisë Lea Stançiç, e cila evidentoi rëndësinë e zhvillimit të bletarisë, të organizimit të panaireve dhe takimeve të tilla që ndihmojnë në zhvillimin e bletarisë dhe shkëmbimin e eksperiencave më të mira. Dhanë mesazhet e tyre për mbarëvajtjen e e bletarisë, Kryetari i Shoqatës së Bletarëvë të Shqipërisë, Viktor Maluta dhe Kryetari i Lidhjes së Bletarëve të Kosovës Sulejman Zogiani. Panairi i Bletarisë në Lezhë, veç të tjerash, po ndihmon edhe në promovimin e mjaltit dhe prodhimeve të tjera të bletarisë. Bletërritësi Jak Ndoja ka 50 vite që merret me bletari. Ai zotëron një park me mbi 200 zgjoj (koshere) bletë dhe ka pasur shumë leverdi në këtë sektor pasi mjalti që ai prodhon ka gjetur treg, duke qenë mjaft i preferuar si nga konsumatori vendas dhe i huaj. Si shumë të tjerë, me të njëjtin përkushtim punojnë dhe bletërritësit pukjanë, Abdyl Arfaj dhe Mustafë Elezi. Pas vizitave në panair u organizua edhe një konferencë shkencore, ku ndër të tjera u fol për mbrojtjen, shtimin e bletëve, nxitjen dhe mbështetjen e aftësive profesionale të bletërritësve, si një ndër mjeshtëritë më të njohura që në kohën ilire.
Përgatiti Rrok Lelçaj Lezhë, 20.05.2019