Qendra “Shenjta Mari” është një qendër përkujdesi shoqëror në qytetin e Lezhës që ka në fokus të veprimtarisë së saj fëmijët në vështirësi, mbi të gjitha fëmijë të komuniteteve Rom dhe Egjiptian.
Motoja e kësaj qendre është që vetëm përmes edukimit mund të ëndërrojmë, të kërkojmë të drejtat tona dhe të jemi të barabartë! Kjo qendër është hapur dhe funksionon që prej vitit 2004.
Falë kësaj qendre vazhdojnë shkollën sot 171 fëmijë kryesisht të komuniteteve Rom dhe Egjiptian. Eshtë e vetmja e këtij lloji në qytetin e Lezhës. Qendra është është e liçensuar nga QKL.
Objektivi i saj është edukimi përmes shkollimit dhe heqja nga lypja në rrugë e këtyre fëmijëve që janë kontigjent i mundshëm për të qenë pjesë e këtij problemi në qytetin e Lezhës. Pa frikë mund të themi që shumica e këtyre fëmijëve po të mos kishin këtë vazhdimësi në këtë qendër do të ishin pjesë e lypjes në rrugët e qytetit të Lezhës.
Në sajë të kësaj qendre fëmijët që lypin në rrugët e Lezhës nuk janë problem i vazhdueshëm. Ka lypje sporadike, të fshehta por jo në vazhdimësi kohore.
Problemi i lypjes në qytetin e Lezhës është më shumë tek të rriturit (nënat). Kjo ndodh edhe për faktin se në fillim të vitit shkollor përfaqësusit e
kësaj qendre nënshkruajnë një kontratë me prindërit ( Marrëveshja për fëmijën tuaj) në të cilën thuhet që nëse fëmija del për të lypur dhe konstatohet kjo gjë atëherë fëmijë nuk mund të bëhet pjesë e kësaj qendre dhe e përfitimit mujor që merr në qendër – motiv më shumë që fëmijët i shtyn të ndihmojnë familjen e tyre me këtë ndihmesë financiare.
Nr. i fëmijëve që janë përfshirë në këtë projekt po vjen gjithnjë e në rritje. Drejtuesi i kësaj qendre Z. Luciano Levri (misionar marianist) ka ofruar një përkushtim të vyer në mbarëvajtjen e kësaj qendre dhe këmbëngulja e tij ka bërë që kjo qendër t’i rezistojë sfidave të përballura dhe të besojë fort kështu tek ëndrra që ka për integrimin e këtyre fëmijëve .
Në mënyrë që ndërhyrja të jetë sa më e hershme, kjo qendër u ka krijuar mundësinë duke mbuluar shpenzimet në çerdhe për 15 fëmijë dhe në kopësht për 53 fëmijë të komuniteteve Rom dhe Egjiptian.
Aktivitetet dhe shërbimet që ofron kjo qendër janë:
- Regjistrim në shkollat shtetërore të fëmijëve të komuniteti Rom, Egjiptianë dhe fëmijëve të tjerë në familje të varfra, kontroll dhe verifikim i frekuentimit dhe e mbarëvajtjes në shkollë përmes disa ndërmjetësve kulturorë dhe mësuesve të qendrës;
- Aktivitet passhkollor tre herë në javë nga 2 orë, për t’i ndihmuar këta fëmijë të përmbushin detyrat dhe në angazhimin e tyre shkollor;
- Mbështetje financiare mujore për fëmijët që frekuentojnë qendrën ( 3000 lekë çdo fëmijë);
- Mbështetje me mjete didaktike, libra, fletore, çanta, etj;
- Takime mujore me prindërit e fëmijëve që frekuentojnë qendrën, për të diskutuar mbarëvajtjen shkollore të fëmijëve të tyre dhe disa tema të tjera edukative ;
- Zhvillimin e kurseve të gjuhëve të huaja ( për klasat e V, VI, VII, VIII), gjithashtu edhe aktivitete sportive teatrale, kampe verore për t’i ndihmuar këta fëmijë që të shprehin aftësitë e tyre si dhe për t’i përfshirë dhe integruar në jetën e shoqërisë tone;
- Mësimi i kompjuterit dhe praktikimi i tij nga nxënës (frekuentues) të kësaj qendre që mësojnë kompjuterin në kurrikulat mësimore në shkollat shtetërore;
- Pagesën e shpenzimeve çdo muaj për fëmijët e lartpërmendur që frekuentojnë çerdhen dhe kopështin.
Kostoja financiare e projektit mbulohet pjesërisht nga SHIS (Shoqata Internacionale për Solidaritet), për mbështetjen në distancë për fëmijët që frekuentojnë qendrën, por mbi të gjitha nga solidariteti i studentëve, klasave shkollore, famullive (Kishave), qytetarëve, grupeve sportive italiane, binjakëzime me Komuna italiane – të cilët ofojnë mbështetje shkollore në distancë për këta fëmijë.
Në përbërjen e stafit ka mësues, edukator, ndërmjetës kulturor.të cilët punojnë part- time në qendër. Gjithsej 10 persona staf. Drejtoria Arsimore e Qytetit Lezhë paguan një mësues që është pjesë e stafit të qendrës.
Rëndësia e kësaj qendre dhe e këtij shërbimi për qytetin dhe Bashkinë e Lezhës qëndron në disa arsye:
- Ka gjithnjë e më shumë fëmijë nga komuniteti Rom dhe Egjiptian që ndjekin arsimimin 9- vjeçar;
- Ka gjithnjë e më pak fëmijë nga Komuniteti Rom dhe Egjptian që po braktisin proçesin mësimor;
- Integrimi i këtyre fëmijëve në shkollat publike dhe jetën e komunitetit lezhjan është i kënaqshëm, po vihet re një sheshim gradual i diferencave;
- Ka më pak fëmijë që lypin, kjo lidhur edhe me paktin që prindërit e këtyre fëmijëve nënshkruajnë në kontratën e përvitshme të pranimit të tyre në qendër;
- Ka ndryshuar prekshëm edhe mentaliteti i prindërve të fëmijëve përfitues të këtij projekti mbi rëndësinë e shkollimit të fëmijëve të tyre dhe të parit e edukimit dhe integrimit të fëmijëve të tyre npëpërmjet shkollimit.
- Shumë fëmijë që po ndjekin aktivitetet në këtë qendër, tashmë kanë filluar të mendojnë dhe reflektojnë ndryshe për të ardhmen e tyre.
Në sajë të njohjes dhe të vlerësimit të punës që bën kjo qendër ne e gjykojmë si një shërbim shembull në të gjithë Republikën e Shqipërisë për vetë misjonin që ka , për objektivin e madh që ka: largimin nga lypja në rrugë të fëmijëve ( kryesisht të komunitetit Rom dhe Egjiptian) për mes edukimit dhe shkollimit, por mbi të gjitha të arritjeve.
Qyteti i Lezhës krenohet me një qendër të tillë, krenohet me integrimin e fëmijëve të komunitetit Rom dhe Egjiptian në sistemin parashkollor dhe atë shkollor. Vetëm përmes edukimit mund të mendohet që ky komunitet i vendosur që prej shumë vitesh në qytetin e Lezhës t’i hapet një dritare për të menduar ndryshe, për të ëndërruar ndryshe dhe për ndërtuar jetën ndryshe.