Qendra kombëtare e regjistrimit (QKR)

Qendra Kombetare e Regjistrimit ( QKR, http://www.qkr.gov.al/ ) është institucioni i vetëm përgjegjës për regjistrimin e biznesit në Shqipëri. Ajo shërben si sportel me një ndalesë ku kryhen të gjitha proceset e regjistrimit të biznesit, duke përfshirë dhe regjistrimin për efekt të taksave në nivel kombëtar dhe vendor (bashkiak), për Sigurimin Shëndetësor e Shoqëror dhe për Inspektoriatin e Punës.

QKR-ja ka filluar punën me 3 shtator 2007, duke zëvendësuar procedurat e mëparshme të regjistrimit në gjykata për të gjitha llojet e bizneseve që kryejnë aktivitet ekonomik në Shqipëri. Që nga data 12 maj 2008, QKR-ja ka hapur dy sportele të deleguara pranë Bashkisë Lezhë për t’i shërbyer më mirë biznesit, sidomos atij të bashkisë dhe qarkut Lezhë. Baza ligjore mbi të cilën vepron QKR-ja është Ligji Nr. 9723 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit” miratuar më 3 maj 2007 dhe të Ligjit Nr. 9901 “Për tregëtarët dhe shoqëritë tregëtare” miratuar me 14 prill 2008.

Informacioni për këtë mund të gjendet duke vizituar faqen e internetit http://www.qkr.gov.al/, ose duke shfletuar fletoren zyrtare. Falë QKR-së, procedurat e regjistrimit të biznesit janë bërë më të shpejta e më të thjeshta, më pak të kushtueshme e me transparente. Koha e regjistrimit për të gjitha shërbimet e ofruara është reduktuar në një ditë dhe të gjithë hapat e regjistrimit janë kombinuar në një procedure të vetme.

Shërbimet e QKR-së (sporteleve të deleguar në Lezhë ) përfshijnë:

  1. Regjistrimin e bizneseve të reja,
  2. Ndryshimin e të dhënave të biznesit,
  3. Lëshimin e ekstrakteve për të dhënat e bizneseve,
  4. Mbylljen e biznesit,
  5. Miratimin e emrit të rezervuar,
  6. Rezervimin paraprak të emrit tregtar, etj.

Në bazë të Ligjit Nr. 9901 datë 14 prill 2008, të gjitha bizneset tregtare, qofshin këto persona fizikë apo juridikë, të cilët kryejnë një aktivitet ekonomik në Shqipëri, duhet të regjistrohen dhe të plotësojnë të dhënat e domosdoshme pranë QKR-së. Përjashtohen nga ky detyrim organizatat jofitimprurëse, fondacionet, partitë politike dhe subjekte të tjera sipas legjislacionit në fuqi. Ato vazhdojnë të regjistrohen si më parë pranë gjykatave. Nuk regjistrohen në QKR gjithashtu edhe tregtarët ambulantë.

Regjistrimi fillestar në QKR do të thotë gjithashtu regjistrim i njëkohshëm në organet tatimore në nivel kombëtar dhe vendor (bashkiak), në sigurimet shoqërore e shëndetësore dhe Inspektoriatin e Punës. QKR-ja është i vetmi institucion që lëshon certifikata të regjistrimit me numrin përkatës të identifikimit të personit të tatueshëm (NIPT) për selinë kryesore dhe adresat dytësore të biznesit. Sipas ligjit të regjistrimit të biznesit, bilanci vjetor dhe pasqyrat financiare të miratuara nga asambleja e ortakëve ose aksionerëve, duhet të dorëzohen në QKR (pranë një sporteli të saj) çdo vit dhe jo më vonë se data 31 korrik. Plotësimi i këtij detyrimi nuk zëvendëson nevojën e paraqitjes së tyre tek zyrat e tatimeve, siç kërkohet nga legjislacioni tatimor. Në rast të moszbatimit të këtij detyrimi ndaj biznesit shkelës zbatohet gjobë administrative.

Gjatë viteve 2008-2011 sportelet e deleguara pranë Bashkisë Lezhë kanë kryer mbi 7272 shërbime të ndryshme ndaj biznesit si regjistrime të reja, korrigjime të të dhënave, ndryshime, ç’regjistrime, pajisje me NIPT-e, ekstrakte të thjeshta dhe të plota (historike). Gjithashtu është bashkëvepruar ngushtë edhe me zyrat e taksave vendore të bashkisë, të komunave dhe me drejtorinë rajonale të tatimeve. Cdo biznes apo qytetar që është i interesuar të hapë një biznes, është i mirëpritur pranë sporteleve të QKR-së në Bashkinë Lezhë.

Për sqarime apo probleme të të dhënave për biznesin tuaj, mund të vizitoni edhe faqen e internetit të QKR-së www.qkr.gov.al, të shkruani në adresën zyrtare info@qkr.gov.al apo të telefononi në: 042259057, 0215 24055, ose të shkruani në adresën qkr@lezha.org. QKR-ja (sporteli Lezhë) është në shërbim të biznesit tuaj!

Copyright © 2024 — All rights reserved.