Fondi Social
Projekti: “Shërbimi lëvizës për fëmijët me aftësi të kufizuara, Tungjatjeta jetë”
Ky është projekti i parë që është financuar nga MSHMS, nëpërmjet skemës së Fondit Social. Tashmë shërbimet e ofruara nga ky projekt kanë hyrë në vitin e 6-të të zbatimit, duke u kthyer në një model suksesi në ofrimin e shërbimeve të specializuara për këta fëmijë.
Shërbimi lëvizës për fëmijët me aftësi të kufizuar “Tungjatjeta jetë” në Bashkinë Lezhë është një shërbim komunitar i specializuar, që ofron terapi (fizioterapi, logopedi dhe terapi zhvillimi) dhe mbështetje profesionale në banesë për fëmijët me aftësi të kufizuar në 10 njësitë administrative të Bashkisë Lezhë, që synojnë të përmirësojnë cilësinë e jetës së fëmijëve me aftësi të kufizuar dhe familjeve të tyre. Ky shërbim ofrohet përmes Njësisë Lëvizëse të projektit, të përbërë nga profesionistë të specializuar, të cilët ofrojnë ndërhyrje të personalizuara në banesën e fëmijës, në bashkëpunim të ngushtë me familjen dhe profesionistët e tjerë që punojnë me këta fëmijë.
Përgjatë këtyre viteve shërbimi lëvizës ka ndihmuar dhe lehtësuar shumë jetën e këtyre fëmijëve dhe familjve të tyre, pasi pozicioni gjeografik, vështirësitë ekonomike apo specifikat e diagnozës shpesh janë bërë pengesë në aksesimin e shërbimeve në qytetin e Lezhës. Prej dy vitesh, zyra e këtij projekti janë vendosur në Qendrën Komunitare Multifunksionale të Bashkisë Lezhë.
Stafi i projektit përbëhet nga:
• 1 Menaxher projekti
• 1 Punonjës social
• 1 Logoped
• 1 Fizioterapist
• 1 shofer
Kush përfiton nga këto shërbime:
– Fëmijë me aftësi të kufizuara
– Familjarët e fëmijëve me AK
– Grupi Teknik Multidisiplinor
– Stafi i Qendrave Shëndetësore
– Stafi i Njësive Administrative
– Stafi i Arsimit (mësues, psikolog, punonjës social, mësues ndihmës)
– Fëmijë që frekuentojnë çerdhe e kopshte
– Nxënës të shkollave në të gjithë njësitë administrative
Shërbimet që ofrohen
Projekti ofron një sërë shërbimesh të specializuara dhe të integruara për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe familjet e tyre. Këto shërbime janë të ndara si më poshtë:
1 Shërbimi i logopedisë
Ky shërbim synon të zhvillojë dhe përmirësojë aftësitë e komunikimit verbal dhe joverbal të fëmijës. Logopedisti punon për përmirësimin e të folurit, artikulimit, zgjerimin e fjalorit, nxit ndërveprimin social, si dhe përdor metoda alternative komunikimi sipas nevojës. Prindërit trajnohen për të vijuar ushtrimet në shtëpi. duke siguruar vazhdimësi dhe përforcim të progresit mes seancave
2 Shërbimi i fizioterapisë
Ky shërbim synon të rrisë aftësitë motorike dhe pavarësinë funksionale të fëmijës në aktivitetet e përditshme. Fizioterapisti harton plan individual ndërhyrjeje për përmirësimin e lëvizshmërisë, koordinimit dhe forcës muskulore, duke realizuar seanca në mjedisin familjar dhe duke udhëzuar prindërit për vazhdimësinë e ushtrimeve.
3 Terapi zhvillimi
Qëllimi i këtij shërbimi është të nxisë zhvillimin kognitiv, social dhe të sjelljes në fëmijët me nevoja të veçanta, duke përmirësuar aftësitë e tyre funksionale dhe përfshirjen sociale. Psikologu zbatohen ndërhyrje të strukturuara, përfshirë metoda të specializuara sipas nevojës, për ndërtimin e aftësive bazë të komunikimit, përqendrimit, ndërveprimit dhe vetë-menaxhimit
4 Shërbim psiko-sociale për fëmijët dhe familjet e tyre –
Ky shërbim synon të sigurojë mbështetje të specializuar psiko-sociale për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre, përmes vlerësimit të nevojave social-ekonomike dhe nivelit të riskut. Ndërhyrja përfshin ndërmjetësim dhe advokim në emër të familjes, koordinim me institucionet dhe shërbimet përkatëse, si dhe ngritje të kapaciteteve prindërore për përballimin e sfidave të përditshme. Qëllimi është fuqizimi i familjes, garantimi i aksesit në shërbime dhe përmirësimi i mirëqenies sociale të fëmijës.
5 Aktivitete argëtuese dhe zhvilluese për fëmijët me AK të përfshirë në projekt
Nga projekti vazhdimisht organizohen aktivitete argëtuese, edukative dhe zhvilluese për fëmijët me aftësi të kufizuara të përfshirë në projekt, me synim nxitjen e zhvillimit të aftësive sociale, emocionale dhe krijuese. Përmes lojës, artit dhe aktiviteteve në grup synohet rritja e ndërveprimit me bashkëmoshatarët, forcimi i vetëbesimit dhe promovimi i përfshirjes së tyre aktive në jetën sociale.
6 Takime informuese dhe mbështetëse me prindërit e fëmijëve me AK;
Me prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta organizohen takime periodike informuese dhe mbështetëse, me qëllim rritjen e njohurive mbi zhvillimin e fëmijës, të drejtat dhe përfitimet ligjore, si dhe shërbimet në dispozicion. Këto takime synojnë gjithashtu krijimin e një rrjeti mbështetës mes prindërve, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e rolit të tyre aktiv në procesin e zhvillimit dhe përfshirjes së fëmijës.
7 Aktivitete informuese dhe ndërgjegjësuese me komunitetin për mbrojtjen, respektimin dhe përfshirjen e personave me AK
Ky shërbim synon të promovojë përfshirjen sociale dhe të reduktojë stigmatizimin ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara, përmes organizimit të aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe përfshirëse në komunitet, me synim rritjen e ndërveprimit social dhe integrimit të tyre në jetën komunitare.
Përfituesit e projektit prill 2020-janar 2026
| Përfituesit | Nr. i përfituesve | Shërbimi i përfituar |
|---|---|---|
| Fëmijë me AK | 15 | Shërbim logopedie |
| Fëmijë me AK | 17 | Shërbim fizioterapie |
| Fëmijë me AK | 23 | Terapi zhvillimi |
| Prindër | 103 | Këshillime të vazhdueshme psiko-sociale; Takime ndërgjegjësuese dhe informuese; Rritje e kapaciteteve në familje |
| Profesionistë që punojnë me fëmijët me AK | 120 | Trajnime për rritje kapacitetesh për të aplikuar në mënyrën e duhur shërbimin e përshtatshëm për lloje të ndryshme të aftësisë së kufizuar, duke përfshirë ofrimin e shërbimeve bazë. |
| Fëmijë dhe të rinj | 2400 | Sensibilizim dhe informim për fëmijët me AK dhe shërbimet që ofrohen |
| Të rinj nga të gjitha Njësitë Administrative të Bashkisë Lezhë. | 1400 | Këshillim, mbështetje psiko-sociale, informim etj |
| Prindër, fëmijë, të rinj, anëtarë komuniteti | 1653 | Aktivitete/ takime ndërgjegjësuese dhe informuese |
Buxheti | ||
Fondi Social | Bashkia | Partneri |
Viti 2023 | ||
1,172,000 lekë | 3,960,429 | 0 |
Viti 2024 | ||
1,172,000 lekë | 4,211,310 | 0 |
Viti 2025 | ||
1,172,000 lekë | 3,912,801 | 0 |

