Kryetari i Bashkisë Lezhë merr pjesë në Samitin B40 2026 në Zagreb
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Z. Pjerin Ndreu, mori pjesë në Samitin B40 2026, i zhvilluar në Zagreb, një platformë e rëndësishme rajonale që bashkon qytetet e Ballkanit në funksion të bashkëpunimit ndërqytetas, zhvillimit të qëndrueshëm dhe inovacionit urban.
Gjatë samitit, u diskutua gjerësisht mbi rolin kyç të qyteteve si motorë të zhvillimit ekonomik, shtylla të demokracisë lokale dhe aktorë të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal. Fokus i veçantë iu kushtua tranzicionit të gjelbër, politikave urbane inovative dhe shkëmbimit të praktikave të mira mes qyteteve pjesëmarrëse.
Pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë në këtë samit konfirmon angazhimin e Bashkisë Lezhë për të qenë aktive në nisma rajonale dhe ndërkombëtare, duke ndërtuar partneritete strategjike që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e Lezhës.
Bashkia Lezhë mbetet e përkushtuar për të sjellë vizione bashkëkohore dhe modele bashkëpunimi që i shërbejnë komunitetit lokal dhe të ardhmes së qytetit.





