Përshendetje miq të Lezhes dhe historisë së lavdishme të saj!
Në kuadrin e “Vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit”, Bashkia Lezhë me inisiativën e Kryetarit Z.Fran Frrokaj ka planifikuar që në zemrën e qytetit, në sheshin “Gjergj Kastrioti” të vendosë një shtatore monumentale të Heroit tonë Kombëtar. Pikërisht, këtu në qytetin e Lezhës ku u zhvilluan edhe dy ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar, Kuvendi i Besëlidhjes së Lezhës i mbajtur me 2 mars 1444 në ambientet e katedrales mesjetare të Shën Nikollit, dhe 24 vite më vonë, më 17 janar 1468 këtu kaloi në përjetësi dhe më pas u përcoll në banesën e tij të fundit, i pavdekshmi Gjergj Kastrioti. Sot, gati në çdo qytet të Republikës së Shqipërisë dhe në trevat e mbetura jashtë saj në vitin 1912, ekziston një monument i Heroit tonë Kombëtar. Gjithashtu, pothuajse çdo kryeqytet europian dhe disa qytete të rëndësishme në vendet perëndimore e kanë nga një objekt të tillë me forma dhe përmasa nga më të ndryshmet, por ajo që e meriton me shumë se kushdo tjetër në Shqipëri dhe në botën e qytetëruar, e që fatkeqësisht i mungon, është pikërisht Lezha e Besëlidhjes, Lezha e Gjergj Kastriotit, vendi ku nisi dhe ky u mbyll “Epopeja e lavdishme Kastriotiane”.
Prandaj Bashkia Lezhë ftojn të gjithë skulptorët shqiptarë kudo ku ata jetojnë e punojnë duke ushtruar aktivitetin e tyre, që të marrin pjesë me modelet (bocetet) e tyre në konkursin e hapur për publikun që do të organizohet nga Bashkia Lezhë më dt.26.09.2018, në ora 10:00, tek salla e madhe e Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Gjergj Lacaj”, Lezhë. Shtatorja monumentale e Gjergj Kastriotit e planifikuar për t’u derdhur në bronz do të ketë këto përmasa: Lartësia mbi 3.5 m, ndërsa piedestali i stilizuar i punuar me gurë, me lartësi 1.5 m. Pra në total objekti monumental duhet të qëndrojë në mënyrë impozante dhe të ketë lartësinë e duhur mbi 5m, për të dominuar mbi sheshin “Gjergj Kastrioti” dhe për të qenë lehtësisht i dallueshëm dhe i harmonizuar me hapësirën muzeale të qytetit tonë.
Subjekti i veprës duhet të bazohet tek binomi Gjergj Kastrioti & “Besëlidhja e Lezhës”. Figura e realizuar në këtë shtatore, më e lartë se sa figura normale njerëzore, duhet të mishëroje tiparet fizike dhe cilësitë më të shkëlqyera të Heroit tonë Kombëtar, por edhe duhet të ruajë në mënyrë të përhershme raportet kohore dhe harmonike me qendrën historike të qytetit të Lezhës. Portreti i përjetësuar në bronz duhet të ‘’paraqesë’’ një Gjergj Kastriot në moshën rreth 40 vjeçare, konform të vërtetës historike, pra afërsisht aq sa ishte kur thirri dhe organizoi Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës, por jo portret i një burri të moshuar dhe në prag të vdekjes, siç ndodh rëndom ta shohim imazhin e tij të shenjtë në pikturat dhe skulpturat e shumë autorëve shqiptarë apo të huaj. Portreti fizik duhet t’i përmbahet njerëzores dhe jo imazheve sureale, abstrakte dhe të bastarduara deri në kufinjtë e groteskut ose te shëmtisë ekstreme artistike. Vepra duhet të mishërojë portretin e vërtetë dhe impresionues të Gjergj Kastriotit, të nxjerrë në pah madhështinë dhe autoritetin e tij karizmatik, duke mos përjashtuar as ngarkesat e shumta politike (politika e kohës kur jetoi), historike, kalorsiake.etj.
Ne, kërkojmë një “Gjergj Kastriot të veçantë”, imazhi i të cilit gjatë viteteve në vazhdim, të kthehet në simbol apo emblemë e qytetit të Lezhës”, kësaj Lezhe që jo më kot historianët e kanë pagëzuar si “Qyteti i pavdekshëm, Lezha e Besëlidhjes dhe Lezha e Gjergj Kastriotit”.
Bashkia Lezhë mirëpret çdo interesim,sugjerim apo dhe bashkëpunim për të realizuar këtë vepër historike.
