Instrumemtistin e talentuar popullor Pal Dedgjonaj, laurat e pjesëmarrës në shumë Festivale Folklorike Kombëtare e veprimtari artistike, Këshilli i Bashkisë Lezhë e ka vlerësuar me titullin Qytetar Nderi i Lezhës. Me këtë rast, kreu i Bashkisë Lezhë z.Fran Frrokaj priti instrumentistin Dedgjonaj bashkë me nipin e tij Givers Dedgjonaj, që ndjek me pasion rrugën artistike të gjyshit.
Me këtë rast, Frrokaj vlerësoi kontributin e Pal Dedgjonajt, pjesëtar i Ansamblit “Çiftelia”, që për afro një gjysëm shekulli, në skena brenda dhe jashtë vendit, interpretoi me profesionalizëm në disa instrumenta popullor, motivet e pasura të folkut burimor të trevës së Lezhës. Dedgjonaj meriton përgëzimet tona, vijoi Frrokaj, edhe për faktin se punon pa u lodhur në përgatitjen e instrumentistëve të vegjël popullor, ku vlen të veçohet puna që bën me nipin e tij Giversi, i cili dita-ditës po aftësohet në përdorimin e instrumentave popullorë tradicionalë si zymarja, fyelli, bilbili e çiftelia. Për punën me plot perkushtim të instrumentistit të talentuar folën edhe instrumentistë, regjisorë, krijues e bashkëpunëtorë të Pal Dedgjonaj.
Në fund të këtij takimi, kreu i Këshillit Bashkiak Kristian Gjidodaj i dorëzoi z.Pal Dedgjonaj titullin “Qytetar Nderi i Lezhës” me motivacionin: “Për kontribut të shquar si instrumentist, teknolog i riprodhimit të një numri të pakufizuar të arketipeve të instrumentëve tradicionalë”.
Përgatiti Rrok Lelçaj Lezhë, 22.07.2019