Është konstituuar Këshilli i Qarkut të Lezhës. Ishin të pranishëm Ministri i Brendshëm Sander Lleshaj, Prefekti Gjok Jaku dhe deputetja e zonës Ardiana Jaku. Ky konstituim vjen pas marrjes së detyrës së kryebashkiakëve dhe këshillave bashkiakë në tre bashkitë e këtij qarku, dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.
Kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu hapi mbledhjen e parë të këtij këshilli. Më pas vijuan proçedurat e rendit të ditës me zgjedhjen e komisionit të mandateve, verifikimin e mandateve të anëtarëve të Këshillit, zgjedhjen e Kryetarit të Këshillit të Qarkut, zevëndëskryetarit dhe kryesisë.
Me votim të fshehtë dhe shumicën absolute të votave, në krye të Këshillit të Qarkut Lezhë u zgjodh Eduart Ndreca, pedagog ne Universitetin “Luigj Gurakuqi” i cili do e drejtojë këtë qark për katër vitet e ardhshme.
Ministri i brendshëm Sander Lleshaj duke uruar këshilltarët dhe kryetarin Ndreca për besimin që morën, vuri theksin në përmirësimin e imazhit si drejtues, dhe kryerjen me përgjegjësi të detyrave që ju ngarkon ligji, duke patur si prioritet të punës shërbimin ndaj komunitetit. Gjatë kësaj mbledhjeje të pare, u zgjodhën gjithashtu të gjitha strukturat e këtij këshilli.
Përgatiti Rrok Lelçaj, Lezhë, 06.09.2019









