BASHKIA LEZHË
DREJTORIA E SHËRBIMIT DHE KUJDESIT SOCIAL
NJOFTIM
Për aplikim për programin “Subvencion Qiraje” dhe “Grant të Menjëhershëm”
Të nderuar qytetarë të Lezhës!
Ju informojmë se, bazuar në ligjin Nr. 22/2018 “Për strehimin social”, i ndryshuar, VKM, nr.384, datë 12.06.2019 “Për përcaktimin e dokumentacionit për të përfituar strehim sipas çdo programi social të strehimit dhe të afateve të procedurave të miratimit nga organet e vetëqeverisjes vendore”, deri në fund të muajt nëntor të interesuarit mund të aplikojnë për një nga programet e strehimit social dhe konkretisht:
1 – Subvencion Qiraje
Aplikimet do të kryhen në portalin e-Albania
Kushtet që duhen plotësuar për të përfituar nga ky program:
– Të jetë banor i Bashkisë Lezhe
– Të ketë mbushur moshën 18 vjeç
Përparësi sipas sistemit të pikëzimit, kanë, por pa u kufizuar në to, kategoritë e përcaktuara në nenet 33 dhe 34/3, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”, i ndryshuar, përfshirë individët, që dalin nga sistemi i përkujdesjes alternative, si më poshtë vijon:
a) individët me statusin e jetimit;
b) personat me aftësi të kufizuar;
c) të moshuarit;
ç) invalidët e punës;
d) familjet e policëve të rënë në detyrë
dh) emigrantët e rikthyer;
e) punëtori emigrant;
ë) azilkërkuesit;
f) familjet e komunitetit rom;
g) familjet e komunitetit egjiptian;
gj) viktimat e dhunës në familje;
h) viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit;
i) prindërit e vetëm, që kanë në ngarkim fëmijë;
j) individët, që i përkasin komunitetit LGBTI;
k) të miturit, 14–18 vjeç, dhe të rinjtë, 18–21 vjeç, në konflikt me ligjin;
l) vajzat nëna, pas daljes nga programi i banesave sociale të specializuara;
ll) familjet me statusin e qiramarrësit në banesa ish-pronë private, sipas aktit normativ me fuqinë e ligjit nr. 3, datë 1.3.2012.
n) çiftet e reja
Dokumentacioni i nevojshëm:
a) Të dhëna personale të aplikantit:
1- certifikatë e lindjes së aplikantit, me përjashtim të rasteve specifike kur individi/familja nuk ka regjistrim në gjendjen civile;
2- vërtetim për vendbanimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore, ku kërkohet strehimi social, për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.
b) Për vërtetimin e kushteve të strehimit, sipas shkronjës “a”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”:
1- Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për pronat që disponohen në emër të secilit anëtar të familjes;vërtetojnë se nuk kanë banesë ose nuk kanë kryer asnjë transaksion për tjetërsimin e pronësisë, të paktën në 5 vitet e fundit, përveç rastit kur pronësia mbi to ka humbur për shkak të një fatkeqësie (vdekje apo sëmundje e rëndë) ose force madhore;
2- Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e strehimit në fuqi;
vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për çdo anëtar të familjes, që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi;
3- Aktverifikim nga njësia vendore për:
– banesat në rrezik shembjeje;
– rastet kur familja ka mbetur e pastrehë, si rezultat i fatkeqësive natyrore;
– banesat që prishen ose përjashtohen nga procesi i legalizimit.
4 – Vendim i gjykatës për familjet që humbasin banesën për shkak të zbatimit të vendimit të gjykatës;
akt i verifikimit nga njësia vendore për familjet rome/egjiptiane, që banojnë në banesa individuale ose struktura, të cilat nuk klasifikohen si banesë.
c) Për vërtetimin e kushteve familjare, sipas shkronjës “b”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018,“Për strehimin social”:
1- certifikatë familjare;
2- vendim i gjykatës që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara.
ç) Për vërtetimin e kushteve sociale, sipas shkronjës “c”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”:
i) vërtetim i komisionit mjekësor të përcaktimit të aftësisë së kufizuar për individë me aftësi të kufizuara;
ii) vërtetim përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezë e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar për individët me statusin e jetimit;
iii) dokument që vërteton se ka mbetur i pastrehë si rezultat i lirimit të banesave, ish-pronë e subjekteve të shpronësuara;
iv) dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe “azilkërkues”;
v) dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të shtetit dhe të Policisë së Burgjeve;
vi) urdhër mbrojtjeje apo urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje, lëshuar nga gjykata për viktimat e dhunës në familje;
vii) vetëdeklarim nëse individi/familja i përket pakicës kombëtare rome ose egjiptiane;
viii) dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse për të miturit në konflikt me ligjin;
ix) vetëdeklarim se i përket grupimit LGBTI;
x) vërtetim me certifikatë familjare se individi i përket kategorisë vajzë-nënë.
d) Për vërtetimin e kushteve ekonomike, sipas shkronjës “ç”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”:
i) vërtetim i të ardhurave neto të familjes ose një deklaratë me shkrim nga aplikuesi për të ardhurat e familjes dhe burimin e tyre, të cilat duhet t’i bashkëlidhen dokumenteve zyrtare që e vërtetojnë atë, përfshirë vërtetimin nga punëdhënësi për pozicionin dhe pagën e aplikantit e të personave të tjerë të familjes, që janë në marrëdhënie pune;
ii) dokument nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve, për të gjithë anëtarët e vetëpunësuar të familjes;
iii) vërtetim nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të vetëqeverisjes vendore për anëtarët e familjes të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar;
iv) vërtetim nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë;
v) vërtetim nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.
Ndër të tjera për të vërtetuar situata të caktuara është e nevojshme krahas listës së mësipërme të paraqiten edhe dokumenta si më poshtë vijon:
1- Vërtetimin nga zyra përmbarimore për masën e pensionit ushqimor që përfiton sipas vendimit të gjykatës.
2- Pasqyra financiare për vitin kalendarik të shkuar për personat e vetëpunësuar e njehsuar nga Drejtoria Rajonale Tatimore. Ekstrakt historik nga QKB.
3- Vërtetimi nga zyra e punësimit për personat të cilët janë regjistruar si persona punëkërkues të papunë;
2. Aplikim për Grant të Menjëhershëm për Banesat me Kosto të Ulët
Përfitojnë grant të menjëhershëm familjet të cilat kanë kanë përfituar më parë banesë me kosto të ulët dhe kanë në përbërje familjare:
a) një person me aftësi të kufizuar, në përputhje me përcaktimet e bëra në nënndarjen “i”, të shkronjës
“c”, të nenit 16, të këtij ligji, për këto kategori;
b) një individ me statusin e jetimit, i cili, në momentin e aplikimit nuk ka mbushur moshën 30 vjeç;
c) kryefamiljarin e vetëm, në rastin kur ka në ngarkim fëmijë nën moshën 18 vjeç;
ç) familjet e komunitetit rom dhe egjiptian.
Dokumentat e sipërcituara duhet të dorëzohen pranë Bashkisë Lezhë.
Për më shumë informacion, ju mund të paraqiteni pranë Drejtorisë së Shërbimit dhe Kujdesit Social në Bashkinë Lezhë.
Afati i dorëzimit të dokumentacionit deri më 30.11.2024