Në mjediset e bibliotekës publike “Gjergj Fishta” Lezhë është promovuar libri: “Antologjia-Gegnishtja Poetike” e autorit Filip Guraziu’ ku ishin të pranishëm mësues të gjuhës dhe letërsisë shqipe, krijues, botues e gazetarë të mediave të shkruara dhe vizive. Libri përmbledh 35 autorë nga gjithë trevat shqiptare që shkruajnë poezitë e tyre në gjuhën gege. Autori i kësaj Antologjie, Guraziu, theksoi se, kur qarqet akademike gjuhësore të shumë shteteve e vlerësojnë gegënishten tonë, ne shqiptarët me akademikët tanë i kemi vënë asaj këmbën. Ne nuk pretendojmë që shqiptarët të flasin e të shkruajnë gegënisht, por të ulemi e të diskutojmë gjuhën standarte.
Për librin “Gegënishtja poetike” dhanë vlerësimet e tyre botuesi e publicisti Frano Kulli dhe redaktori letrar i librit Primo Shllaku.
Folës të tjerë vunë theksin se askush nuk duhet të jetë i privuar që të flasë gjuhën e nanës. Ndërkohë u evidentua dhe puna që bëjnë grupe intelektualësh në mbrojtje të gegënishtes. Harresa e gjuhës së nanës, vijuan në diskutimet e tyre, na privon prej faktorëve bashkëformues, të cilët shoqërojnë, plotësojnë dhe zbukurojnë botën shpirtërore dhe jetën emocionale tonën.
Përgatiti Rrok Lelçaj, Lezhë, 16.09.2019