Nën kujdesin e Kryetarit të Bashkisë Lezhë z.Fran Frrokaj, Shoqata e Bashkive organizoi sot takimin e Komitetit Drejtues ku u diskutua për çështje me interes të pushtetit vendor si dhe për veprimtarinë e shoqatës.
Tema kryesore e diskutimeve ishin sfidat më të cilat përballen bashkitë në ofrimin e shërbimeve në kushtet e vështirësive financiare dhe të mbingarkesës të nevojave si pasojë e mungesës së mbështetjes së qeverisë. Theksi u vu tek shpërndarja e një volumi mjaft të madh fondesh nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve dhe ministritë e ndryshme. Kjo, u tha ne takim, lë hapësira për subjektivizëm dhe diskriminim politik nga ana e qeverisë.
Ndryshimet e shumta ligjore që cenojnë drejtpërdrejt veprimtarinë e bashkive janë kryer pa konsultimin e duhur dhe pa marrë në konsideratë nevojën për burime financiare dhe njerëzore të bashkive për ushtrimin e funksioneve të tyre.
Problematika e diskutuar lidhej dhe me situatën e ngritjes së kadastrës fiskale dhe rregullimit të taksës së pronës, diskutimet për ndryshime ligjore, për emergjencat civile dhe për policinë bashkiake.
Pjesëmarrës në takim ishte dhe Dr. Klaus Fiesinger, Drejtori Rajonal për Europën Juglindore i Fondacionit Hanns-Seidel, për zyrat në Tiranë, Beograd, Sofie dhe Zagreb, i cili diskutoi me kryetarët mbi ecurinë e vendit tonë në proçesin e integrimit dhe rolin e rëndësishëm të bashkive dhe të zgjedhurve vendorë në rajon dhe Shqipëri. Në prononcimin e tij për mediat ai u shpreh se qëllimi i këtij takimi ishte shkëmbimi i mendimeve me kryetarët e bashkive për problemet aktuale të pushtetit vendor, ku çështje kryesore në bashkitë që drejtohen nga kryetarët e spektrit të djathtë mbetet miratimi i ligjeve të tilla që mos të lejnë vend për interpretim, por që të jenë të përcaktuara saktë, pa shmangie dhe devijime të ndryshme.
Kryetari i Bashkise z.Fran Frrokaj u shpreh se shoqatat e bashkive duhet të konsolidohen në një të vetme që të jetë në interes të pushtetit vendor pavarësisht se i kujt krahu politik është kryetari i mandatuar.
Drejtori ekzekutiv i shoqatës së bashkive Agron Haxhimali, ngriti problemin se nuk po arrihen premtimet e objektivave të bëra para reformës administrative territoriale dhe nuk ka decentralizim administrativ, fiskal dhe politik.
Në fund komiteti drejtues i Shoqatës së Bashkive doli me një njoftim për mediat ku informoi hollësisht për çfare u diskutua dhe u vendos gjatë këtij takimi.
Pergatiti Rrok Lelçaj Lezhë, 31.01.2019