Lezha feston Ditën e Alfabetit!
Gjuha shqipe, simbol i identitetit, kulturës dhe krenarisë kombëtare.
Në përkujtim të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Zyra Vendore Arsimore Lezhë, në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë, organizoi një aktivitet festiv dhe edukativ, me pjesëmarrjen e nxënësve dhe shkollave të qytetit, në nderim të një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.
Përmes recitimeve, këngëve dhe interpretimeve artistike, nxënësit sollën atmosferë festive, duke rikujtuar rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe kontributin e tij në unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Aktiviteti përcolli mesazhe të rëndësishme për ruajtjen, vlerësimin dhe promovimin e gjuhës shqipe, si një ndër simbolet themelore të identitetit dhe trashëgimisë sonë kombëtare.

Kjo ditë përbën një moment të veçantë për të vlerësuar gjuhën, kulturën dhe historinë tonë, si dhe për të nxitur te brezat e rinj ndjenjën e përgjegjësisë për ruajtjen dhe përcjelljen e tyre.
Gjuha shqipe është pasuria jonë e përbashkët, krenaria dhe identiteti që na bashkon, një trashëgimi që duhet ta ruajmë dhe ta përcjellim brez pas brezi.






