Bashkia Lezhë, me iniciativen e kreut të saj z.Pjerin Ndreu, organizoi një aksion për pastrimin e territorit nga mbetjet urbane dhe hedhurinat vend e pa vend. Që në orët e para të mëngjesit, në sheshin para bashkisë, u mblodhën punonjës të shërbimeve publike, të firmave sipërmarrëse të pastrimit dhe asaj koncensionare “Geci”, të cilët morën udhëzimet dhe paisjet duke u përqendruar në pastrimin e aksit rrugor Lezhë-Shëngjin. Puna filloi me dy orë nate, me qëllim shmangien e trafikut i cili rëndohet së tepërmi këto ditë gushti që është dhe piku i sezonit turistik. Për t’i dhënë fund kësaj situate, kryebashkiaku Pjerin Ndreu u shpreh se aksioni i pastrimit nuk fillon sot e mbaron nesër, por do vijojë gjatë gjithë ditëve të vitit, për të patur një Lezhë turistike të pastër. Ndaj ndotësve të mjedisit dhe firmave të pastrimit që nuk kryejnë me korrektësi detyrat, vijoi Ndreu, toleranca do të jetë zero dhe do shoqërohet me gjobë dhe sanksione të tjera ligjore. Forca të shumta, mjete të bashkisë e makineri të firmave sipërmarrëse kryen një volum të madh pune, duke e pastruar në të dy anët e tij gjithe aksin rrugor Lezhë-Shëngjin. Që sot ky aks rrugor, që është dhe porta hyrëse në bregdetin e plazheve të Lezhës, mori një pamje krejt tjetër duke krijuar një imazh pozitiv si për komunitetin vendas ashtu dhe për fluksin e madh të pushuesve e turistëve të huaj që e përshkojnë çdo ditë.
Përgatiti Rrok Lelçaj, Lezhë, 19.08.2019