Për të 14-tin vit radhazi Bashkia e Lezhës organizon festën e “Ditës së Shtegtarëve”. Kjo festë mbarëqytetare, e kthyer tashmë në një traditë të bukur, organizohet në nderim dhe respekt të të gjithë emigrantëve të Lezhës, të cilët në kërkim të një ëndrre të re dhe jete më të mirë, morën rrugët e kurbetit duke lënë familjet dhe vënë në rrezik jetën e tyre. Në lulishten kryesore të qytetit është vendosur dhe guri i përjetësimit të kontributit të emigrantëve ku shkruhet: “Mirënjohje, respekt dhe dashuri ndaj të gjithë atyre që shtegtuan me vdekjen në kërkim të ëndrres së humbur të një kombi”. Në orët e para të mbrëmjes sheshi “Gjergj Kastrioti” u mbush plot me qytetarë dhe emigrantë të ardhur nga shumë vënde të Bashkimit Europian, të cilët festuan së bashku. Për t’ju afruar emigrantëve e qytetarëve sa më afër shërbimin tregtar, bashkia, me ndihmën e biznesit vendas kishte hapur pika të ndryshme ambulatore që plotësonin më së miri të gjithë kërkesat e festuesve. Aty ishin instaluar panaire libri dhe prodhime artistike të Lezhës të punuara me kujdes, ku spikati figura e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Në skenën e ngritur përballë vendvarrimit të heroit u shfaq koncerti festiv ”Dita e Shtegtarëve” ku përformuan këngëtarë të njohur të Lezhës dhe trevave të tjera të vendit, të cilët ndezën atmosferën në sheshin e tejmbushur me emigrantë, qytetarë dhe pushues vendas dhe të huaj. Me këtë rast, Klubi Letrar “Ndoc Gjetja” organizoi në mjediset e Hotelit të Gjuetisë promovimin dhe diskutimin letrar të vëllimit poetik “Antologjia e Mallit”. Poeti Viktor Gjikolaj thekson se një orë poetike me argumentin “mall” pasuroi kremtimet e sivjetshme të festës lokale “Dita e Shtegtarit” . Në këtë Antologji të Mallit, veprimtari rishtare kjo e Klubit Letrar Ndoc Gjetja, paraqitën krijimet e tyre poetike edhe emigrantë nga Lezha, të cilët kanë vite që punojnë e jetojnë në shtete të Bashkimit Europian. Për krijimet dhe interpretimet më të mira, Klubi Letrar “Ndoc Gjetja” i vlerësoi autorët me çertifikatë mirënjohjeje.
Lezhë, 15.8.2019 Përgatiti: Rrok Lelçaj