Konstituohet Këshilli i Bashkisë Lezhë i dalë nga zgjedhjet e pushtetit lokal të 30 Qershorit. 41 anëtaret e këtij këshilli pasi zgjodhën drejtuesit, u bë betimi i Kryetarit të Bashkisë z.Pjerin Ndreu, i cili do të drejtojë Bashkinë e Lezhës për një mandat 4-vjeçar.
Kreu i Këshillit Bashkiak Lezhë Ernest Rakaj i vendosi z.Ndreu shiritin e Kryebashkiakut të Lezhës, për të cilin kjo detyrë e rëndësishme mbetet përgjegjësi, angazhim dhe punë e vazhdueshme në transformimin dhe zhvillimin ekonomik e social të Lezhës. Më pas Këshilli zgjodhi anëtarët e rinj për në Keshillin e Qarkut.
Kreu i Bashkisë Lezhë z.Pjerin Ndreu, i shoqëruar nga Prefekti i Lezhës Z.Gjok Jaku, këshilltarët e rinj, Drejtuesi Politik i Qarkut dhe Ministër i Brendshëm z.Sander Lleshaj, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, deputetet Lindita Nikolla, Olsi Manja, Ardiana Jaku, zhvilluan një takim me qytetarë të Lezhës. Folësit evidentuan punën dhe përpjekjet që duhen bërë për ta kthyer Lezhën me histori të lavdishme, ekonomi, turizëm e kulturë të admirueshme, në bashkitë më të bëgata të vendit.
Më pas, kreu i ri i Bashkisë Lezhë z.Pjerin Ndreu u fut në zyrën e tij të hapur, pa patur asnjë protestim nga forcat politike opozitare, ndonëse paraardhësi i tij z.Fran Frrokaj nuk e priti për t’i dorëzuar detyrën, me pretendimin se nuk i njeh zgjedhjet e 30 Qershorit.
Përgatiti: Rrok Lelçaj Lezhë, 14.08.2019