Ndryshe nga çdo vit tjetër sheshi para Bashkisë Lezhë “Gjergj kastrioti Skenderbeu” është kthyer në një arenë festimesh të gëzuara për qytetarët që do zgjasin deri natën e ndërrimit të viteve.
Dekori i dritave shumëngjyrëshe, me këndet e lojrave për fëmijë dhe instalimi i ngrehinave të vogla prej druri ku janë ekspozuar panaire e prodhime të biznesit vendas, kanë përmbushur gjithë pritshmëritë e qytetarëve në këtë prag festash të fundvitit.
Festat n’ Liss janë një qasje e re, ku Bashkia Lezhë mbështeti propozimin e një grupi të rinjsh me iniciator bisnesmenin Altin Prenga, i njohur për kthimin e ‘Mrizit të Zanave’ në një pikë atraksioni turistik të preferuar për vendasit dhe të huajt, ku spikat kuzhina me prodhimet bio.
Kryetari i Bashkisë z.Fran Frrokaj, në çeljen e siparit të këtyre festimeve u shpreh se ky organizim i veçantë është një ftesë për të gjithë qytetarët që të bëhen çdo natë pjesë e argëtimit festiv, teksa kujtoi se Bashkia Lezhë nuk ka shpenzuar asnjë taksë të qytetarëve për të krijuar këtë atmosferë.
Edhe vetë qytetarët e pëlqejnë këtë mënyrë organizimi. Festat n’Liss mbeten një risi për të festuar së bashku deri natën e ndërrimit të viteve.
Përgatiti Rrok Lelçaj Lezhë, 15.12.2018