Me interesimin dhe mbështetjen e Bashkisë Lezhë, si çdo vit tjetër, Qendra Kulturore e Fëmijëve “Gjergj Lacaj”, me rastin e Fiter Bajramit ka parakaluar në rrugët e qytetit, ku me këngët, meloditë orkestrale, kostumet dhe vallet popullore ndezën një atmosfere festive. Grupet artistike me punonjësit e kuzhinës së Mrizit të Zanave dhe të lokalit “STELA” kanë zënë vend para xhamisë së qytetit, ku ofruan për qytetarët e gjithë besimeve produkte bio, pije dhe ëmbëlsira të përgatitura enkas për këtë ditë feste. Altin Prenga, ashtu si edhe për Pashke, ka sjellë me plot bujari për vëllezërit e besimit musliman, kulinarinë e përzgjedhur të kuzhinës së tij.
Drejtori i QKF-së Marçel Lacaj, thekson se në këtë aktivitet sensibilizues femijet dhe të rriturit përcjellin mesazhin domethënës: “Kemi Bajram e kemi Pashkë, dhe Shqipninë e kemi bashkë”. Ndërkohë, kryetari i Bashkisë Lezhë z.Fran Frrokaj, shoqëruar nga kreu i PD-së Zef Gjoka dhe zevëndëskryetarët Enver Hafizi dhe Alfrida Marku, bënë një vizitë në Xhaminë e Lezhës ku u pritën nga myftiu Agim Tereziu, i cili duke i falenderuar për vizitën, foli për rëndësinë dhe vlerat njerëzore që përcjell festa e Fiter Bajramit në bashkëjetesën vëllazërore mes besimeve.
Me pas, duke uruar besimtarët musliman të Lezhës për festën e Fiter Bjaramit, Frrokaj u shpreh se: “me agjerimin dhe sakrificën tuaj gjatë muajit të Ramazanit treguat vlerat e moralit dhe të besimit te Zoti. Sakrifica që ju bëni, ka sfiduar vesin dhe është e lidhur terësisht me mirësinë dhe solidaritetin njerëzor. Me këtë rast, Frrokaj dhe Tereziu dhanë prononcimet e tyre për mediat.
Në takim me femijët e Qëndrës Kulturore, qytetarët dhe ata që përgatiten mënynë e pasur të sofrës bujare, Frrokaj dhe Tereziu shprehën vlerësimin e tyre për sakrificën, bashkëjetesën dhe bashkëpunimin vëllazëror mes besimeve, që Lezha ruan ndër vite, nga ku ka çfarë të mesojë dhe politika. Festa e Fiter Bajramit vijoi me shpërndarjen e ushqimeve të pergatitura dhe koncertin e grupit artistik të Qendrës Kulturore të Fëmijëve.



