Nën drejtimin e nënkryetarit Enver Hafizi është mbledhur në Lezhë komisioni vlerësues për përzgjedhjen e bocetit më të mire nga të gjithë punimet e paraqitura në skulpturë, kushtuar figurës së Gjergj Kastriotit – Skenderbeut. Pas votimit të fshehtë komisioni vlerësoi pesë bocetet më të realizuara (me numrat rëndor 3, 7, 12, 14 e 19), me synim që pas dy javesh të përzgjedhë bocetin më dinjitoz, i cili do të vendoset si shtatore monumentale në sheshin kryesor të qytetit të Lezhës që mban emrin Gjergj Kastrioti – Skenderbeu. Kreu i këtij komisioni, Enver Hafizi, në një prononcim për mediat u shpreh se, shtyrja e kohes së vlerësimit përfundimtar ka të bëjë jo vetëm me një vlerësim sa më objektiv të anëtarëve të jurisë, por edhe me thithjen e mendimeve të specialistëve me emër të skulpturës dhe njerëzve të artit, për të patur kështu një shtatore dinjitoze, ashtu siç e meriton heroi ynë komëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe Lezha e Besëlidhjes.
Rrok Lelçaj 01.10.2018