Solidaritet, ndihmë e mikpritje vellazërore kanë gjetur 95 familje të zonave të dëmtuara nga tërmeti, të cilat po trajtohen me shumë përkujdesje në këtë kompleks turistik pranë bregdetit të Shëngjinit. Gjithçka është vënë në dispozicion të tyre duke u ofruar dhoma komode me kushte normale fjetjeje, shërbim e ushqim cilësor si dhe mundësi lëvizjeje e çlodhjeje në mjediset e jashtme të hoteleve. Përfaqësuesi i Resortit Turistik “ERMIRI” Eduard Shtjefni, shprehet se po bëhen të gjitha përpjekjet për një trajtim sa më të mirë të këtyre familjeve. Vetë familjarët e akomoduar në këto mjedise, duke u ndjerë tani më të qetësuar, tregojnë për kujdesin, kushtet e shkëlqyera të trajtimit e mikëpritjen vëllazërore që u është rezervuar.
Ashtu si për turistët dhe pushuesit në sezonin e verës, dhomat e fjetjes ofrojnë të gjitha kushtet e duhura dhe janë vënë në dispozicion të banorëve e familjeve të prekura nga tërmeti. Në këtë hotel po strehohen dhe trajtohen 7 familje të ardhura nga Thumana, 14 nga Lezha dhe 74 familje nga Kurbini, të cilat përbëjnë dhe numrin më të madh të banorëve të akomoduar në këtë kompleks turistik.
Ndërkohë, restorantet me kuzhinat e tyre dhe punonjësit që shërbejnë këtu, ofrojnë për famljarët një mëngjes, drekë dhe darkë me një menu të pasur me ushqime cilësore, ku vërehet rregull dhe kulturë në të shërbyer.
Qendra shëndetësore funksionon 24 orë pa ndërprerje, duke ofruar falas ilaçet dhe çdo shërbim tjetër mjekësor. Për fëmijët e këtyre banorëve janë caktuar psikologë dhe janë hapur qendra rehabilituese zbavitëse, me synimin që ata të tejkalojnë sa më parë atë që përjetuan mëngjesin e 26 Nëntorit dhe t’i rikthehen një jete normale të shëndetshme e pa probleme. Punonjësja sociale Lindita Marku, flet më konkretisht për punën që bëhet këtu me fëmijët e këtyre familjeve. Me kushtet e ofruara, Kompleksi Turistik “ERMIRI” në Shëngjin është kthyer në një qendër të ngrohtë pritjeje e trajtimi për një pjesë të banorëve të Thumanës, Laçit e Lezhës që pësuan dëmtime të mëdha nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Përgatiti: Rrok LELÇAJ, Shëngjin 7.12.2019