Në përkujtim të 28-Nentorit, 106-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, Bashkia e Lezhës në nderim të kesaj date me rëndësi historike organizoi disa veprimtari. Me këtë rast, fillimisht pranë Flamurit Kombëtar, në sheshin para Obeliskut të Kuvendit të Lezhës, u mblodhën qytetarë, autoritete të pushtetit lokal, dhe besimeve fetare, intelektualë e nxënës shkollash të cilët vendosën tufa me lule. Ndërkohë, kryetari i Bashkise Lezhë z.Fran Frrokaj, nën tingujt e hymnit kombëtar të bandës frymore të shkollës “Besëlidhja”, bëri ngritjen e Flamurit. Në fjalën e tij përshëndetëse, Frrokaj e ka vlerësuar 28-Nentorin si datë të rëndësishme historike, pikë kulmore kthese, për fatet e Kombit Shqiptar. Duke evidentuar kontributin e atdhetarëve patriotë që e kryen me sukses misionin e tyre, ai dha mesazhin se kjo ditë e madhe duhet t’i bashkojë shqiptarët kudo që janë me një vullnet të ri per t’iu rikthyer shembujve shtetformues të Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Luigj Gurakuqit e themeluesve të tjerë të shtetit shqiptar, figura të ndritura te kombit tonë, që meritojnë nderim të përjetshëm. E përfundoi fjalën e tij Frrokaj duke apeluar për respekt e mirënjohje të thellë për çdo shqiptar që ka kontribuar e kontribuon ndër vite për pavarësinë, lirinë e prosperitetin e shqipërisë tonë të dashur. Përshëndeti me këtë rast edhe prefekti i Lezhës z.Gjergj Prendi, i cili duke uruar për Festën e Flamurit e vlerësoi këtë datë historike si mjaft të rëndësishme për fatet e kombit shqiptar.
Më pas, në sallën e pallatit të kulturës formacioni orkestral muzikor i shkollës “Besëlidhja” dha një koncert me numra të zgjedhur kushtuar festës së Flamurit, 106-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, ku interpretuan nxënës e mësues të kësaj shkolle. Aktivitetet artistike të kësaj dite vijuan me hapjen e ekspozitës: ”Arti Pamor Lezhjan”, ku 18 piktorë pjesëmarrës paraqiten 34 punimet e tyre në gjininë e peisazhit, portretit dhe natyrës së qetë.
Lezhë, 28.11.2018 Pergatiti Rrok Lelçaj














