Është promovuar libri: ‘Mirdita për Kolë Mirditën’ të gazetarit Gjergj Marku. Një botim ky kushtuar dëshmorit Kolë Mirdita, me rrënjë nga Mirdita, i cili në moshën 22-vjeçare dha jetën në fushën e betejes duke u bërë shkëndi drite për lirinë e Kosovës. Autori Marku e promovoi këtë libër sa publicistik aq dhe historik në prezencë të autoriteteve lokale, pjesëtarëve e të afërmve të familjes së dëshmorit, diplomatëve e miqëve të shumtë nga Mirdita, Lezha e Kosova. Ky liber, u tha në takim, mban fakte dhe dëshmi për dëshmorin Kolë Mirdita, prejardhja e vendbanimi i të cilit mbeten ndër trevat që i kanë dhënë historisë sonë kombëtarë dëshmi qëndrese, shembuj heroizmi dhe sakrificë në mbrojtje të lirisë.
Kryetari i Bashkisë Lezhë z.Fran Frrokaj cilësoi librin e botuar si pasuri e trashëgimi e vyer edhe për brezat e ardhshëm. Shumë të ftuar të tjerë evidentuan punën hulumtuese që Marku ka bërë. Botimin e vlerësuan boksieri Luan Krasniqi, Ambasadori i Kosovës në Tiranë Sylë Ukshini, vëllai i dëshmorit Vilson Mirdita si dhe shumë të ftuar të tjerë.
Emri “Mirditë”, siç shkruan në faqet e këtij libri studiuesi Ndue Dedaj, është si një borxh, që një ditë duhet ta kthesh aty ku e ke marrë sepse vetëm kështu ai nuk soset kurrë, si ai diamanti i rrallë i kujtesës që fle në çdo njëri e brezni. Por dëshmori i ri Kolë Miirdita nga Ranoci i Klinës, e tejkaloi këtë “borxh” duke rënë në fushën e luftës për çlirimin e Kosovës, kështu që vuri në borxh krejt botën shqiptare para tij, rrjedhimisht dhe Mirditën e rrënjëve, për t’i bërë nderimet si hero. Autori,Gjergj Marku, e cilësoi këtë libër modest, duke dëshmuar penën e një publicisti që ka hedhur aty shkrime, kumtesa, foto e reportazhe.
Takimi ka vijuar me një koncert festiv ku interpretuan këngëtarë e valltarë të Ansamblit Mirdita. Në fund, për të pranishmit, në mjediset e bibliotekës publike u hap një fotoekspozitë me foto, shkrime e dokumente të rralla nga veprimtaria e Shoqerisë “Bashkimi”. Me këtë rast u bë dhe promovimi i ribotimit për herë të parë pas 110 vitesh, nga Enti Botues “Gjergj Fishta” i fjalorit të Gjuhës Shqipe, produkt i Shoqerisë “Bashkimi”.
Përgatiti Rrok Lelçaj Lezhë, 08.02.2019