Shoqata e Bashkive zhvilloi takim në Bashkinë Lezhë me partnerë të Projektit MD.net, i financuar nën thirrjen Interreg MED, ku ishin të pranishëm partnerë lokal dhe 12 partnerë të tjerë nga 9 vende të ndryshme të Europës. Projekti synon nxitjen e ekonomive të vogla lokale përmes mbështetjes së vlerave që përmban dieta mesdhetare si pasuri jomateriale e njerëzimit mbrojtur nga UNESCO.
Një prezantim i shkurtër i Projektit MD.net u bë nga Carmela Cotrone dhe drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive Agron Haxhimali. Aty u fol mbi potencialin e Zonës së Zadrimës, me produktet e saj bujqësore e blektorale, agrobiodiversitetin që lidhen me dietën mesdhetare.
Kryetari i Bashkisë Zoti Fran Frrokaj bëri panoramim të vlerave historike, kulturore e turistike të Lezhës, duke u ndalur tek kulinaria e pasur dhe traditat bujare të mikpritjes. Dieta Mesdhetare, u tha në takim, është pjesë përbërëse e identitetit mesdhetar. Ajo përfshin një set të aftësive, njohurive, ritualeve, simboleve dhe zakoneve lidhur me kulturën, mjedisin, metodat e punës dhe stilin e jetesës që karakterizojnë një industri të fuqishme. Megjithatë, u vrejt aty, disa zona rurale të Mesdheut i nënvlerësojnë këto mekanizma dhe hasin mangësi demografike dhe natyrore të shkaktuara nga mungesa e njohurive mbi potencialin ekonomik të kësaj pjese të identitetit kulturor mesdhetar. Projekti MD.net adreson probleme të neglizhimit dhe mos shfrytëzimit të mundësive të dietës mesdhetare. Qëllimi kryesor i projektit është rritja e njohurive mbi dietën mesdhetare sipas Konventës së UNESCO për dietën mesdhetare, duke ndërthurur koncepte të kësaj diete me mjete inovatore. Projekti do të përdorë masa tradicionale dhe kreative (si ekonomia e përbashkët) duke nisur bashkëpunimin me qëllim ngritjen e ekonomisë së Dietës Mesdhetare në nivele të reja cilësie.
Përgatiti Rrok Lelçaj Lezhë, 08.02.2019