Përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit Bashkia Lezhë ka ndërhyrë në rikonstruksionin e plotë të Shkollës së Mesme të Bashkuar “Karl Gerga” Balldre, e cila prej vitesh ndodhej në një gjëndje tejet të amortizuar.
Vlera e financimit të këtij projekti kap shumën prej 74 milion lek të reja, ku 30 për qind e kësaj vlere është investim i Bashkise Lezhë. Është ndërhyrë si në mjediset e brëndshme ashtu dhe ato të jashtme të shkollës, por dhe në palestër e mjediset e tjera sportive, duke ia ndryshuar tërësisht pamjen. Për drejtorin e Arsimit e Kultures Ardian Laçi, shkolla e rikonstruktuar e Balldenit është një model i punës korrekte të Bashkisë Lezhë në krijimin e kushteve sa më bashkëkohore për nxënësit në çdo njësi administrative, ku dhe pritet tenderimi i fondeve për shkolla të tjera.
Punimet e nisura në muajin nëntor të vitit të kaluar i janë afruar fundit dhe gjithçka pritet të përfundojë para afatit të parashikuar në kontratë. Kështu, 500 nxënësit e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Karl Gega”, Balldre, vitin e ri shkollor do të vijojë mësimi në një objekt tërësisht të rikonstruktuar dhe që ofron kushte normale mësimi.
Rikonstruksioni i Shkollës së Mesme të Bashkuar në Balldre dhe ndërhyrja që po vijon në objekte të tjera, flet qartë për prioritetin e punës së Bashkisë Lezhë dhe kreut të saj Frrokaj në arritjen e standarteve bashkëkohore në shkolla dhe në gjithë proçesin mësimor edukativ të të nxënit.
Përgatiti Rrok Lelçaj Lezhë, 14.02.2019








