Në 147 vjetorin e lindjes së poetit tonë kombëtar At Gjergj Fishta, në një aktivitet të organizuar nga Bashkia Lezhe, Homeri i letrave shqipe u përkujtua në truallin ku lindi, me studime shkencore, koncert artistik dhe mozaik recitimesh të përzgjedhura nga vepra e tij letrare.
Morën pjesë drejtues të pushtetit lokal, studiues e botues të veprës së Fishtës, intelektualë, poetë, shkrimtarë, publicistë, artistë e krijues nga Lezha e rrethe të tjera të vendit.
Botuesi Frano Kulli, që e ka botuar të plotë vepren letrare të Fishtes e vleresoi atë si nje monument në kolanën e veprave më të mira të letërsisë shqipe.
Përshëndeti takimin dhe zëvëndeskryetarja e bashkisë Alfrida Marku e cila duke folur për vlerat aktuale që ruan vjershërimi Fishtian, vlerësoi emrin dhe figurën me rrezatim mbarëkombëtar të At Gjergj Fishtes dhe njëherësh premtoi se Bashkia do të ketë gjithnjë në vemendje evenimente të rëndësishme si ky, që përkujtojnë e promovojnë figura të ndritura të kombit tonë. Aktori e regjisori i Pallatit të Kultures Kol Kunora dhe nxënës shkollash recituan disa nga vargjet më të spikatura të poezisë ‘Mrizi i Zanave’ apo kryeveprës “Lahuta e Malcisë”, një vellim poetik ky prej 17 mijë vargjesh, i cilësuar nga studiues me famë botërore si Iljada Shqiptare, apo Bibla e lëvruesve të shqipes.
Sopranoja Albana Pervathi dhe këngëtarë të tjerë interpretuan këngë me tekst, vargjet poetike të At Gjergj Fishtës.
Lezhë, 23.10.2018 Përgatiti Rrok Lelçaj