Bashkia Lezhë, me grupet e saj më të mira të inxhinierëve të ndërtimit vijon punën për verifikimin në terren të pallateve dhe shtëpive të banimit duke dhënë siguri tek qytetarët se cilat banesa janë të banueshme dhe cilat nuk janë të banueshme. Siç bën të ditur kreu i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu, nga këto grupe në asnjë rast nuk ka veprime kuturu e të paargumentuara por mbahen akte konstatime për çdo pallat e banesë që paraqet probleme. Ndreu thekson se mbahet dokumentacion i rregullt dhe alarmi i qytetarëve se inxhinieret nuk nxjerrin akte konstatimi është i gabuar. Nga 1600 kontrolle e verifikime në terren rezulton se vetëm 13 pallate janë klasifikuar me probleme por jo të pabanueshme. Problem sigurie paraqesin pallatet e vjetra me tullë në Lagjen “Besëlidhja”, që prej 50 vitesh kanë pësuar disa lëkundje tërmetesh dhe këto po shikohen me shumë përgjegjësi. Sipas Ndreut, pozitiv është fakti se asnjëri nga pallatet e reja nuk ka pësuar dëmtime strukturore. Pallati i ri 12 katësh, për të cilin u bë shumë zhurmë mediatike, inxhinierët dhe specialistët ekspertë dolën në përfundimin se nuk ka probleme strukturore. Bashkia Lezhë, duke iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve, po vijon punën me verifikime në terren për çdo banesë që paraqet probleme sigurie.
Përgatiti: Rrok LELÇAJ, Lezhë 05.12.2019