Duke u bërë mbështetëse dhe partnere e projektit “Sport për integrim dhe zhvillim të qëndrueshëm” Bashkia Lezhë për herë të dytë në lumin Drin organizon gara sportive me kajak. Ky sport ka zgjuar interesin e rinisë së qytetit, e cila është bërë pjesë e kësaj veprimtarie.
Kryetari Fran Frrokaj, u shpreh se Bashkia Lezhë, me politikat e saj, po punon për t’i dhënë zhvillim sektorit të turizmit, me synim për ta kthyer dhe lumin Drin në një pikë atraktive për turistët, vizitorët dhe të rinjtë, sepse Lezha i ka mundësite dhe resurset për aktivitete të tilla. Vlerësim për startimin e këtij aktiviteti në Lezhë dha edhe drejtuesja e projektit “Sport për integrim dhe zhvillim të qëndrueshem” Vjollca Backa, si dhe menaxherja e projektit Riload (“ReLOaD”) Eglantina Gollaj. Ky projekt financohet nga Bashkimi Europian. Për të ndjekur këto gara, ku morën pjesë kryesisht nxënës të shkollës së mesme Shënkoll dhe asaj profesionale “Kolin Gjoka” Lezhë, interes ka shfaqur dhe publiku sportdashës i qytetit.
Në këtë veprimtari sportive morën pjesë 50 garues të rinj, prej të cilëve 35 djem dhe 15 vajza. Fitues u shpall ekipi i shkollës së mesme Shënkoll. Konkurentët në garë, në lëvizjet e tyre përshkuan një gjatësi prej afro 800 m të lumit Drin, në pjesën e qytetit. Me aplikimin e këtyre garave, Bashkia e Lezhës po synon që ta kthejë këtë aktivitet, sa sportiv aq edhe argëtues, në një traditë të përvitshme.
Rr.Lelçaj, Lezhë, 09.05.2019










