Fenomeni eroziv, me rrëshqitje dherash, që vepron në kalanë e qytetit të Lezhës, shpesh është shoqëruar me pasoja për rrjetin infrastrukturor por dhe për banorët e lagjeve aty pranë. Për të ndihmuar në parandalimin e këtij fenomeni, me interesimin e drejtpërdrejtë të kreut të Bashkisë Lezhë z.Fran Frrokaj, ka nisur puna për mbjelljen e 5000 fidanëve me akacie. Janë punonjësit e bashkisë, drejtorisë së bujqësisë, sektorit të pyjeve dhe sipërmarrjes së gjelbërimit që po vijojnë këtë proçes në gjithë kurorën e Kalasë, duke u përqëndruar më shumë në vendet e zhveshura dhe me rrisk të lartë eroziv. Drejtori i Bujqësisë, Pyjeve dhe Zhvillimit Rural, Luigj Frangaj, bën të ditur se e gjithë siperfaqja e degraduar e kurorës së Kalasë do të rehabilitohet e pyllëzohet me akacie, ç’ka do të ndikojë pozitivisht në gjelbërimin e saj dhe parandalimin e erozionit. Përgjegjësi i sektorit të pyjeve, Kreshnik Alcani, evidenton domosdoshmërinë e këtij aksioni të ndërmarrë nga Bashkia Lezhë, i cili me mbjelljen e akacieve do të vijojë me ullirin dhe shegën e egër. Bashkia Lezhë ka marrë të gjitha masat që 5000 fidanët me akcie të mbillen brenda javës, duke i shpërndarë në vendet e zhveshura nga bimësia dhe që paraqesin rrezikshmëri të rishfaqjes së fenomenit eroziv.
Përgatitit Rrok Lelçaj Lezhë, 16.04.2019