Në kuadrin e Ditës Botërore të Librit, Biblioteka Publike “Gjergj Fishta” Lezhë organizoi një takim me lexues, krijues dhe letrarë, ku nxënës të shkollave të Lezhës sollën pjesë nga letërsia e afirmuar shqiptare dhe kryeveprat e letërsisë botërore. Dita Ndërkombëtare e Librit daton rreth 400 vjet më parë, më saktë 23 prill 1616, që është edhe data e vdekjes së dy kollosëve të letersisë boterore, Servantes dhe Shekspir.
Libri, u tha në takim, është pasuria më e madhe e njerëzimit, është ushqimi i tij shpirtëror dhe dritaria që ndriçon e ushqen formimin, mendimin e dijen njerëzore.
Ai mbetet një mik i mirë, i afërt e mjaft i vlefshëm. Të gjithë të pranishmit e trajtuan librin si ta pazëvendësueshëm dhe superior në raport me rrjetet sociale për sa i përket informimit. Lexuesit e Lezhës, të rritur, të rinj dhe nxënës të shkollave të ndryshme, të motivuar edhe nga biblioteka levizëse, janë bërë miq të apasionuar të librit. Biblioteka publike “Gjergj Fishta” numëron afërsisht 2000 lexues në vit që tërheqin libra me kartelë. Bashkia Lezhë e ka mbështetur gjithmone këtë institucion të dijes, ka investuar në mirëmbajtjen e godinës dhe pasurimin e fondit bibliotekar me libra të rinj. Në fund të aktivitetit, lexuesit besnikë të librit morë si dhuratë botime të autorëve të njohur.
Përgatiti Rrok Lelçaj, Lezhë, 23.04.2019















