Besimtarët katolikë të Lezhës kanë kremtuar Ditën e Pashkëve, ringjalljen e Krishtit, si dita më e rëndësishme në kalendarin festiv të krishterë. Festa,e një ‘‘Pashke ndryshe’’, këtë vit u zhvillua në sheshin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”. Qendra Kulturore e Fëmijëve “Gjergj Lacaj”, në bashkëpunim me lokalin ‘‘Mrizi i Zanave’’ në Fishtë të Zadrimës, nisën marshimin në rrugët e qytetit të Lezhës me një varg vagonësh të vegjël për fëmijë, të cilët mbanin ngarkuar vezë, lëngje frutash dhe produkte të tjera bujqësore bio, të përgatitura me bujari e dashuri enkas për këtë ditë. Rrugëve të qytetit, fëmijët ua shpërndanë këto produkte qytetarëve. Më pas, lokomotiva me vagonët e vegjël lëvizës të lidhur në seri, zënë vend para Katedrales së Shën Nikollës dhe fare pranë bustit të Papa Gjon Palit të dytë, ku në mesin e një atmosfere festive me këngë e valle të krijuar nga grupet artistike të Qendrës Kulturore të Fëmijëve, ata u pritën nga besimtarë katolikë dhe qytetarë të Lezhës. Kreu i Bashkisë z.Fran Frrokaj, në përshëndetjen e tij uroi gjithë besimtarët e krishterë për festen e Pashkëvë dhe evidentoi harmoninë ndërfetare që ruajnë lezhjanët me njëri-tjetrin. Frrokaj drejtoi dhe një apel ndaj politikëbërësve shqiptarë që të jenë më vizionarë për të ardhmen e shqiptarëve, me qëllim që ata të mos e braktisin vendin e tyre. Pronari i “Mrizit të Zanave” iniciatori i kësaj lëvizjeje, shprehet se në këtë ditë të pashkëve është e rëndësishmë që fëmijët të gëzohen e të buzëqeshin. I pakursyer për fëmijët, vëllezërit e besimit katolik dhe qytetarët e Lezhës, ka qenë në këtë ditë të Pashkëve edhe pronari i lokalit “Stela” Lirim Torba. Drejtori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve Marçel Lacaj, bashkëorganizatori i ceremonisë festive, përcolli si mesazh vargjet e poetit tonë kombëtar At Gjergj Fishta: “Kemi Bajram e kemi Pashkë dhe Shqipërinë e kemi bashkë”
Mbështetëse e këtij aktiviteti ishte Bashkia Lezhë, e cila përmes gjithë veprimtarive të organizuara përcolli urimet më të sinqerta në festen e Ringjalljes së Krishtit, festës së shpresës, besimit, sakrificës dhe triumfit mbi të keqen. Kjo mënyrë e të festuarit të Pashkëve është kthyer në traditë për Lezhën, duke dhënë kështu shembullin e harmonisë fetare që mbizotëron në këtë rajon.
Përgatiti, Rrok Lelçaj 21.04.2019