Ka inspektuar punimet në mbjelljen e fidanëve me akacie në kurorën e Kalasë, kreu i Bashkisë së Lezhës z.Fran Frrokaj, i cili që në krye të herës, me drejtoritë vartëse, organizoi punën për hartimin dhe zbatimin e këtij projekti mjaft të rëndësishëm në parandalimin e fenomenit eroziv, duke pyllëzuar gjithë pjesën e degraduar të kësaj zone. Në një prononcim për mediat Frrokaj u shpreh se ky projekt është një premtim i dhënë që në fillesat e këtij mandati dhe sot po e bëjmë realitet. Pesë mijë fidanët e mbjellë në territorin e kurorës së kalasë kanë si qëllim parandalimin e rrëshqitjes së masivëve të dherave e gurëve dhe elemenimin e pasojave të tij në rrjetin infrastrukturor në komunitetin e lagjeve aty pranë që ka populluar në mënyrë krejt të çrregullt këtë zonë. Për këtë problem, vijoi Frrokaj, kam bashkëpunuar me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe drejtuesit e Aluiznit që të bëjmë një verifikim korrekt të këtij problemi, me qëllim që kjo zonë të sistemohet e tëra duke eleminuar dhe fenomenin eroziv. Ky projekt, tashmë i përfunduar, do ketë impakt pozitiv për mjedisin, banorët e lagjeve aty pranë dhe për vizitorët e turistët e huaj që janë të interesuar të shikojnë nga afër Kalanë e qytetit. Gjatë këtij aksioni një javor u mbollën 5 mijë fidanë me akcie, ku kontribuan punonjës të Bashkisë Lezhë, Drejtorisë së Bujqësisë, Sektorit të Pyjeve dhe Sipërmarrjes së Gjelbërimit. Harta e këtij projekti u shtri në gjithë kurorën e kalasë, duke u përqëndruar më shumë në vendet e zhveshura dhe me rrisk të lartë eroziv.
Përgatititi: Rrok Lelçaj, Lezhë, 19.04.2019











