Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve Bashkia Lezhë në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Arsimit, shoqatën “Word Vision” dhe Drejtorinë e Policisë organizuan një takim sensibilizues për mbrojtjen e të drejtave themelore të fëmijëve me temë: “Buzëqeshim kur kemi shprese dhe jetojmë në një komunitet pa dhunë”.
Përmes skeçeve improvizuese fëmijët sollën raste pozitive të respektimit të të drejtave të tyre, por dhe shembuj kur ato cënohen. Pati dhe interpretime me pjesë muzikore nga instrumentistë të vegjël. E themeluar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1954, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, u tha në takim, synon të promovojë mirëqënien e fëmijëve kudo, shkollimin, të parandalojë çdo formë dhune apo abuzimi ndaj tyre, si dhe të inkurajojë mirëkuptimin.
Ishte e pranishme në këtë takim zevëndëskryetarja e Bashkisë Lezhë znj. Alfrida Marku. Duhet theksuar fakti se, institucioni i Bashkisë po jep gjithë mbështetjen në parandalimin e dhunës tek fëmijët që ende e hasim si fenomen që rrezikon zhvillimin, shëndetin, mirëqënien, të drejtat themelore të fëmijëve, dinjitetin dhe të ardhmen e tyre.
Në këtë kuadër, Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëvë pranë Bashkisë Lezhë në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore, përfaqësues të shoqatave dhe shoqërisë civile ka hartuar dhe po zbaton planin kombëtar të veprimit “Stop Dhunës në Shkolla”, me synim parandalimin e fenomenit të dhunës në të gjitha shkollat e rrethit.
Ndërkohë, drejtues të bashkisë, arsimit, policisë dhe Word Vision ftuan të gjithë nxënësit e pranishëm, mësuesit, prindërit dhe çdo qytetar të Lezhës që të denocojnë çdo lloj akti dhune i cili cënon të drejtat themelore dhe të shtrenjta të fëmijëve tanë, por edhe të bëhen pjesë e rëndësishme e përfshirjes së tyre në promovimin dhe zbatimin e këtij plan- veprimi.
Përgatiti Rrok Lelçaj Lezhë, 20.11.2018










