Festë n'Shpi 2024
Bashkia Lezhë ka vazhduar traditën e njohur të “Festë N’ Shpi” edhe këtë vit, duke krijuar një atmosferë të paharrueshme festive që zgjati për 14 ditë rresht.
Aktivitetet filluan më 2 Gusht dhe kulmuan më 15 Gusht, duke e shndërruar Sheshin “Gjergj Kastrioti” në një pikë qendrore për argëtim dhe gëzim. Çdo natë, qytetarët e Lezhës dhe vizitorët e shumtë u mblodhën për të përjetuar magjinë e muzikës live dhe performancave të larmishme.
Në këtë edicion të “Festë N’ Shpi” morën pjesë disa nga zërat më të njohur të muzikës nga Shqipëria dhe Kosova, duke e ngritur nivelin artistik të festës. Këngëtarët dhe grupet më të dashur nga publiku dhuruan performanca të jashtëzakonshme, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe festive.
Netët e dedikuara talenteve të rinjë nga Lezha ishin gjithashtu një nga pikat kulmore të festës. Të rinjtë e talentuar nga Lezha, duke përfshirë këngëtarë, instrumentistë dhe valltarë, shfaqën aftësitë e tyre artistike, duke sjellë energji dhe freski në sheshin e qytetit.
Këto netë ishin një mundësi e shkëlqyer për artistët e rinj që të tregojnë talentin e tyre përpara një publiku të gjerë.
Festa arriti kulmin në Ditën e Shtegtarëve, më 15 Gusht, një ditë e veçantë që i kushtohet të gjithë atyre që rikthehen në Lezhë për të festuar me familjarët dhe miqtë. Kjo ditë speciale u përshkua nga një atmosferë e veçantë, e cila u pasurua edhe më shumë nga prania e trupës së njohur të humorit “Portokalli”, që dhuroi shumë të qeshura dhe momente të paharrueshme për të pranishmit.