Eshilli Bashkiak i Lezhës e zhvilloi mbledhjen e radhës në sallën e tij të re të ngritur në mjediset e brendshme të Pallatin e Kulturës. Fillimisht kreu i këtij Këshilli Ernest Rakaj i ftoi gjithë anëtarët që në përkujtim të viktimave të tërmetit të 26 nëntorit, të mbajnë një minutë heshtje. Më pas Këshilli Bashkiak i Lezhës, shqyrtoi dhe miratoi disa projektvendime që kishin të bënin kryesisht me Vendimin Nr. 111, Datë 06.12.2019, të kthyer për rishqyrtim nga Prefekti i Qarkut Lezhë që lidhej me miratimin e pagesës së plotë të qirasë për familjet e mbetura pa strehë, të cilat u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit. Kreu i Bashkisë Pjerin Ndreu evidentoi dëmet e shkaktuara nga tërmeti në Lezhë dhe masat që po merren për të ndihmuar e strehuar familjarët me shtëpi të pabanueshme.
Miratimi i nivelit të pagave të administratës së bashkisë, të punonjësve të njësive mbështetëse, të masës së shpërblimit mujor të këshilltarëve dhe kryetarëve të fshatrave për vitin 2020, ishte pikë e dytë e rendit të ditës. Kryebashkiaku Ndreu, duke iu përgjigjur pyetjeve e sugjerimeve të anëtarëve të këshillit, argumentoi rritjen e pagave të punonjësve në përgjithësi, duke vlerësuar si të drejtë rritjen e pagave për inxhinierët e specialistët e kualifikuar por dhe punonjësit e shërbimeve.
Në këtë mbledhje u shqyrtuan e miratuan edhe projektvendime për një ndryshim në Buxhetin e Bashkisë Lezhë për vitin 2019, dhe një projektvendim për përdorim fondi rezervë për dhënie ndihme financiare.
Përgatiti: Rrok LELÇAJ, Lezhë, 11.12.2019





